Riciklimi i mbetjeve dhe interesat tona kombëtare dhe individuale

Riciklimi i mbetjeve dhe interesat tona kombëtare dhe individuale

Foto ilustruese

Këtë shkrim po e nis me disa fakte:

Nëse riciklojmë një shishe plastike kursejmë energji elektrike të mjaftueshme që një llampë të punojë rreth 30 orë, nëse riciklojmë një ton letër, përveç të tjerave kursejmë rreth 30.000 litra ujë, nëse riciklojmë një shishe qelqi, kursejmë energji të mjaftueshme që të punojë një televizor për disa orë rresht dhe nëse riciklojmë një kanoçe alumini, kursejmë energji të mjaftueshme që një lavatriçe të kryejë mesatarisht një cikël larjeje, pa përmendur këtu kostot e nxjerrjes së lëndëve të para për prodhimin e qelqit, aluminit, letrës, plastikës, etj.

Për çdo 10.000 ton mbetje riciklimi krijon 36 vende të reja pune, landfilli 6 vende të reja pune dhe incenerimi vetëm 1 vend të ri pune.

Në Shqipëri vlerësohet se ka rreth 30.000 persona që ushtrojnë veprimtarinë e grumbullimit të mbetjeve në mënyrë individuale dhe ilegale, pa sigurime shoqërore dhe shëndetsore dhe parespektuar as edhe një kusht minimal për të garantuar shëndetin dhe sigurinë në punë. Këta persona, gjatë punës së tyre mbartin me vehte për në banesat e tyre viruse, bakterie dhe dëmtues të tjerë të shëndetit të njeriut, që ja shpërndajnë anëtarëve të tjerë të familjeve të tyre, të cilët kur shkojnë në shkollë, punë apo dalin në mjedise publike, përhapin edhe më tej këto sëmundje dhe dëmtues, që në rate ekstreme mund të përbëjnë edhe epidemic me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Riciklimi (1) pastron mjedisin, (2) konservon burimet natyrore, (3) redukton konsumin e energjisë, (4) nxit rritjen ekonomike, punësimin, ofron lëndë të para për industritë dhe (5) nuk paraqet probleme shëndetsore për qytetarët, duke treguar kujdes për kushtet e punës së atyre që merren me riciklim.

Landfilli, sipas përvojës së vendeve që e kanë aplikuar sjell defekte në lindje dhe fëmijë me peshë të ulët si i rezultat i ekspozimit të nënave të tyre në mjedise me nivel të lartë dikosid azoti dhe panë landfilleve vërehet një nivel i lartë sëmundjesh respiratore, kanceri në mushkëri, etj, që vijnë si rezultat i çlirimit të sulfidit të hidrogjenit.

Incenerimi çliron gazra të dëmshme për shëndetin e njeriut, që vijnë nga djegia e mbetjeve të infektuara, duke hedhur në atmosferë ndotës të ndryshëm që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe degradojnë mjedisin. Këta ndotës janë metale, gazra acide, okside, azot, sulfur, dhe shumë substance të tjera që ende nuk e dimë se ç’farë janë por që dihet se janë toksike. Ndikimi kryesor në shëndetin e qytetarëve është shtimi i sëmundjeve kanceroze dhe i simptomave respiratore, ndërsa në mjedis efektiet janë ngrohja globale, acidifikimi, emetim ozoni, formim smogu, eutrofikim dhe toksikim i bimëve dhe kafshëve, shumica e të cilave përdoren për konsum nga qytetarët. Inceneratorët çlirojnë monoksid karboni, gazra dhe pjesëza acide, si dhe metale të rënda hlmuese si kadmium, plumb, merkur, krom, arsenic, berilium, etj, si dhe çlirojnë në ajër dioksina dhe furane, të dëmshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve  (Sipas “The Health Effects of Ëaste Incinerators 4th Report of the British Society for Ecological Medicine, Dr. J. Thompson & Dr. H. Anthony).

Sa më lart, Riciklimi i mbetjeve urbane, rurale dhe industriale në Shqipëri është në një krizë të thellë koncepuale. Kjo krizë është rezultat i korruspionit, paaftësisë, keqmanaxhimit dhe injorancës që ka përfshirë pjesën më të madhe të atyre që janë përfshirë në këtë sektor, si administratën publike ashtu dhe operatorët private dhe organizmat joqeveritare.

Nisur nga përvoja botërore dhe nga logjika njerëzore, politike, ekonomike, sociale, mjedisore, shëndetsore dhe humane, manaxhimi i mbetjeve duhet që të kalojë nëpër disa faza që janë reduktim (reduse), ripërdorimi (reuse), riciklimi (recycle) dhe rijetësimi (recovery).

Në Shqipëri nuk ka aspak përvojë në lidhje me ndarjen në burim të materialeve të riciklueshme, futjes së teknologjive të trajtimit paraprak, depozitimit të mbetjeve, etj. Objektivi i Strategjisë kombëtare për vitin 2030 është që 55 % e mbetjeve të riciklohen, ndërsa në fakt po ecet në drejtim të kundërt, sepse në mënyrë të pakuptimtë për logjikën shkencore dhe interesat kombëtare, më shumë prioritet i është dhënë landfilleve dhe incenerimit, ndërsa paralelisht industria e riciklimit është drejt falimentimit, pasi është duke punuar me vetëm rreth 20% të kapacitetit. Në fakt, industria e riciklimit në Shqipëri ka gjynahet e veta në këtë histori, por tashmë nuk është koha që të vemë gishtin te fajtori, por të bashkojmë forcat për të përmirësuar gjendjen e krijuar, që vërtet është jashtë kontrollit dhe e patolerueshme për më tej. Inciativat e Ministrit Klosi në lidhje me reduktimin e mbetjeve dhe pastrimin e territorit të vendit, edhe pse të lavdërueshme dhe me vlera qytetare dhe frymë të mirëpritur kolektiviste, nuk mund të ndikojnë në çështjen e riciklimit si në periudhën afatshkurtër ashtu dhe në atë afatgjatë, dhe kjo nuk duhet konsideruar si dështim i këtij ministri apo i dikasterit që ai drejton, përkundrazi, si një iniciativë që krijon hapsira për të ecur më tej në bashkëpunimin tonë për të gjetur rrugëzgjidhje të sakta, serioze dhe inteligjiente, për të vënë në funksionim logjikën e riciklimit, sesepse riciklimi, përveç se ndikon dukshmërisht në pastrimin e mjedisit, në radhë të parë ofron lëndë të parë për industritë, nga materialet që i sjell në formë të përshtatshme për përdorim prej këtyre industrive, të cilat, pasi i marrin materialet e ricikluara nga subjektet e riciklimit, i përdorin këto materiale si lëndë të parë për të vazhduar ciklin e tyre të prodhimit të produkteve dhe shërbimeve, për t’i përcjellë më tej ato te konsumatorët, që janë agjentë ekonomikë individë, familje, biznese dhe qeveria.

Ky proces, rezulton me kosto më të ulëta dhe me shpenzim më të pakët të energjisë, krahasuar me realizimin e produkteve dhe shërbimeve direkt me lëndë të para që krijohen fillestarisht, sipas shembujve të parashtruar në fillim të artikullit.

Konsiderueshmërisht, një çështje madhore me të cilën përballemi si shoqëri dhe ekonomi, përbëjnë me shumë se veprimtaria e grumbullimit të mbetjeve në Shqipëri është pothuajse 99% ilegale, pa përfaqësim sektorial, me mijëra individë që ushtrojnë këtë vepritari pa sigurime shoqërore dhe shëndetsore dhe parespektuar as edhe një kusht minimal për të garantuar shëndetin dhe sigurinë në punë, duke u bërë shkak edhe për çështje madhore shëndetsore individuale dhe kolektive me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Paralelisht me sa më lart, në Shqipëri nuk ka mbështetje ligjore dhe institucionale për operimin e zinxhirit të grumbulluesve, ricikluesve, përpunuesve të materialeve të ricikluara, prodhuesve të produktee dhe shërbimeve për përdorim përfundimtar nga ana e konsumatorëve. Gjendjen nuk e ndihmon aspak edhe terri injorantesk në lidhje me alternativat e landfillit dhe incenerimit, që shpesh paraqiten si shpëtim unik për gjendjen e krijuar.

Për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes është krijuar edhe Qendra Shqiptare për Riciklimin e Mbetjeve, që krahas subjekteve të tjera që operojnë në këtë fushë, ndihmon për të nxitur dhe favorizuar riciklimin e mbetjeve me bazë poletilenin, letrën, xhamin, aluminin, etj, në fund të ciklit të jetës së tyre, me destinacion përfundimtar riciklimin dhe rikuperimin, duke patur parasysh që mbetjet janë një burim dhe nuk duhet që të përfaqësojnë një problem për mjedisin, me fokus për të krijuar vende pune, për të prodhuar të ardhura dhe për të zvogëluar ndikimin në shëndetin e njeriut dhe mjedisit.

Në fakt, Shqipëria dhe shqiptarët gjenden përballë një fakti. Më 12 tetor 2012 Komisioni Evropian ka aprovuar kandidaturën e Shqipërisë për hyrjen në Evropë. Për të ecur më tej në këtë rrugë, përveç të tjerash, një ndër aspektet themelore është mbrojtja e mjedisit. Politika mjedisore e BE-së bazohet në parimet e: (1) Përkujdesjes, (2) Veprimit parandalues, (3) Korrigjimi në burimin e dëmit të shkaktuar nga ndotja dhe në parimin (4) "Ndotësi Paguan”. Për këtë hartohen programe afatgjata veprimi, që në më të shumtën e rasteve janë pjesë e negociatave ndërkombëtare mjedisore.  

Vullneti i Shqipërisë për t'u bërë pjesë e BE-së është arsyeja pse Ministria e Mjedisit duhet të përshpejtojë procesin e përshtatjes së rregulloreve kombëtare me pritjet evropiane, afati i të cilit është caktuar për vitin 2020 dhe ky objektiv mund të arrihet jo vetëm nëpërmjet adoptimit të ligjeve të reja por edhe me anë të përfshirjes së një politike mjedisore, që sjell zhvillim ekonomik të gjelber.

Kjo është edhe arsyeja se përse institucionet shqiptare së bashku me subjektet e tjera të interesuara duhet që të modifikojë imazhin e Shqipërisë, duke përmirësuar besueshmërinë mjedisore të vendit drejt BE-së dhe më gjerë. Kjo kërkon një plan ndërhyrjesh për situatat e rrezikut të mundshëm mjedisor që mund të paraqiten për qytetarët. Kjo kërkon një legjislacion të plotë dhe të përafruar me atë të BE-së.

Objektivat e BE-së deri në vitin 2020 janë parandalimi i krijimit të mbetjeve, përgatitja e mbetjeve për ripërdorim, riciklimi i mbetjeve, rikuperimi në tipe të tjera dhe reduktim deri në zero të teknikave të landfillit dhe incenerimit.  

Pretendohet se Shqipëria po bëhet një nga destinacionet më popullore për turistët, një arsye tjetër për të mbrojtur mjedisin, sepse mjedisi është i lidhur me turizmin dhe turizmi është burim i të ardhurave dhe punësimit.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se sektori i mbeturinave është i ekspozuar ndaj një niveli të lartë të vëmendjes nga ana e krimit të organizuar në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, që herë pas here ka treguar se është shumë agresiv në rast se ligji dhe qytetaria nuk janë të vëmendshëm për mbrojtjen e interesave të tyre.

Nëse e shikojmë çështjen nga ana logjike, riciklimi është e vetmja veprimtari që është në përputhje me interesat tona kombëtare dhe në përputhje të plotë me interesat ekonomike, shoqërore, mjedisore, shëndetsore të sejcilit prej nesh. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë