Riintegrimi i të burgosurve, të dënuarit do të mbikqyren edhe pas lirimit të tyre


TIRANË, 4 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Të dënuarit të cilët janë në prag lirimi në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, do të kenë një komunikim të vazhdueshëm dhe do të mbikqyren nga Shërbimi i Provës në procesin e tyre të riintegrimit në shoqëri.
Kjo risi do të quhet "Shërbimi pas Lirimit" dhe vjen në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar sot në Ministrinë e Drejtësisë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës. Kjo marrëveshje, siç bëri të ditur Drejtori i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, sjell disa risi, të cilat do të përmirësojnë rrugëtimin e të dënuarit drejt riintegrimit të tij në shoqëri.
Sipas Qafes,"kjo marrëveshje detyron stafin e Drejtorisë së Burgjeve, por dhe Shërbimit të Provës, të forcojnë marredheniet mes tyre, në shkëmbimin e opinioneve dhe informacioneve për çdo të dënuar, duke përpiluar së bashku rrugën e ri-ntegrimit të tij".
"Përmes kësaj marrëveshje, vijoi ai, punonjësit e Shërbimit të Provës do të kenë mundësi të monitorojnë rastet e personave që do të transferohen nga IEPV-të drejt Shërbimit të Provës dhe më pas drejt rikthimit gradual në jetën në komunitet. Për këtë, sipas marrëveshjes, punonjësit e Sistemit të Shërbimit të Provës do të jenë të angazhuar dita ditës për të informuar të burgosurit mbi rëndësin e shërbimit të provës dhe do monitorojnë rastet të cilat kanë cilësitë dhe mundësitë për të tranzituar nga institucioni i vuajtjes së dënimit tek Shërbimi i Provës", theksoi Qafa.
 
Marrëveshja u vleresua edhe nga Kryetari i Prezencës se OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig. Sipas tij, është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të përdore më shumë dënimet alternative sesa burgjet. "Lufta ndaj përjashtimit social, që vuan i burgosuri, por dhe mbipopullimit të burgjeve, realizohet duke aplikuar dënimin alternativ dhe kjo marrëveshje i vjen në ndihmë këtij misioni. Shqipëria ka ratifikuar marrëveshje që nxisin pikërisht dënimet alternative, si rruga më e mirë për të riintegruar një të dënuar", theksoi Raunig.
 
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë garantoi gjithashtu mbështetje maksimale për Drejtorinë e Burgjeve dhe Shërbimin e Provës në misionin e tyre mjaft të rëndësishëm në arritjen e standardeve më të larta të trajtimit të personave nën juridiksionin e tyre. "Prezenca, tha Raunig, do të vazhdojë të fokusohet tek rritja e bashkëpunimit midis institucioneve lidhur me çështjet e vënies në provë, siç janë Prokuroria, Gjykata, Shërbimi i Provës vetë, qeverisja vendore dhe OJQ-të". /a.ke/
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?