Rikthimi i kinemave në qytetet shqiptare dhe krijimi i një rrjeti kombëtar kinemash publike është qëllimi kryesor i marrëveshjes së nënshkruar këtë të mërkurë në Tiranë, në kuadër të Balkan Film Market.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe bashkitë Pogradec dhe Elbasan hodhën hapin e parë konkret për rijetëzimin e sallave të kinemasë, duke e nxjerrë filmin shqiptar përtej kufijve të kryeqytetit.
“Për herë herë të fundit kur unë në vogëlinë time kam qenë në kinema ka qenë viti '89 dhe më pas, të gjitha këto kinema për brezin tonë u kthyen në kinema për filma për të rritur, që ishte një absurd i madh. Ne jemi një brez, i cili jemi rritur me nevojë për salla kinemaje, jemi rritur me nevojë për të parë një kontent të filmit shqip. Sot ka ardhur një moment të cilin po e materializojmë. Shpresoj që mbas këtyre dy marrëveshjeve të para të nxit të rrisim gjithmonë, çdo javë e çdo muaj të rriten më tepër sallat, që do jenë pjesë e kësaj marrëveshjeje tripalëshe: mes nesh, ministrisë dhe bashkive.”, tha kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.
Marrëveshja parashikon rikonstruksionin dhe funksionalizimin e sallave ekzistuese, trajnimin e stafit lokal, pajisjen me teknologji projeksioni dhe një program të përbashkët shfaqjesh, të koordinuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Këto kinema nga ana tjetër, nuk do të jenë thjesht salla, por pika të qëndrueshme shfaqjeje për filmin shqiptar, rajonal dhe europian.
“Nisma që po nënshkruajmë sot buron nga një nevojë reale. Kemi bashki të cilat kanë kinoteatër. Përshembull, rasti tjetër ishte bashkia e Matit që ne sapo e mbaruam kinoteatrin. Shpresojmë që ju t'i keni këto qendra sa më popullore dhe sa më të mbushura me publik. Natyrisht që në qendër është filmi shqiptar. Fatkeqësisht nganjëherë vihesh përballë situatave ku rinia e sotme pothuajse nuk di ose nuk njeh asgjë çfarë ka ndodhur para 20 viteve, 25 viteve, 30 viteve, pale më tepër sa i takon vendit tonë dhe sa i takon brezave të mëparshëm që kanë milituar dhe që kanë kontribuar në disa prej industrive nga më të rëndësishmet për vendin tonë. Nëse kinoteatrot janë gati, siç disa prej tyre janë, brenda gjashtë mujorit të parë të vitit të ardhshëm ne do jemi duke transmetuar në programacion normal.”, tha ministri i kulturës, Blendi Gonxhja, ndërsa vlerësoi edhe “Balkan Film Market”, si një event shumë të rëndësishëm edhe nga pikëpamja turistike, e ekonomisë dhe të industrisë kreative.
Rrjeti i ri i kinemave synon të krijojë më shumë publik për filmin shqiptar, të forcojë shpërndarjen e tij për transmetim në nivel kombëtar kombëtar dhe të rrisë të ardhurat për prodhuesit vendas.
Shfaqjet e para në Pogradec dhe Elbasan pritet të nisin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa bashki të tjera do t’i bashkohen gradualisht këtij rrjeti kombëtar.
Nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të kinemasë si hapësirë kulturore aktive në të gjithë vendin.
Komente









