Rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës po vijon, ndërsa pacientët vazhdojnë të marrin shërbim pa ndërprerje edhe gjatë punimeve. Blloku operator është në proces modernizimi të plotë, në kuadër të një prej investimeve më të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës spitalore në vend.

Për të parë nga afër ecurinë e punimeve, në Spitalin e Traumës ishin ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Gjatë vizitës, Sala tha se puna po ecën me ritme intensive për përfundimin në kohë të investimit, ndërsa vlerësoi angazhimin e stafit mjekësor që po garanton vazhdimësinë e shërbimit për pacientët.

“Pavarësisht procesit të rikonstruksionit, shërbimi në Spitalin Universitar të Traumës po vijon pa ndërprerje. Stafi mjekësor po punon me dy turne dhe me standarde të larta profesionale për të garantuar trajtim cilësor dhe të sigurt për çdo pacient. Ky është një shembull i menaxhimit efikas të një investimi madhor, pa cenuar aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore”, u shpreh ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja theksoi se rikonstruksioni do të mundësojë ngritjen e një strukture spitalore moderne, me kushte bashkëkohore pune për personelin shëndetësor dhe kapacitete të zgjeruara për trajtimin e pacientëve, duke rritur cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve të traumës në nivel kombëtar.

Ndërsa, ministri Nufi u ndal në rëndësinë dhe peshën që mban Spitali Universitar i Traumës në sistemin shëndetësor të vendit, duke përballuar një volum të konsiderueshëm rastesh nga e gjithë Shqipëria.

 Ai theksoi se, me ngritjen e polit të ri të traumës në Veri, pritet një shpërndarje më e balancuar e fluksit të pacientëve, duke rritur kapacitetet e përgjigjes dhe efikasitetin e shërbimit në shkallë kombëtare.

Spitali Universitar i Traumës përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit shëndetësor shqiptar, duke ofruar kujdes të specializuar për rastet e traumës dhe urgjencave të rënda, si dhe duke luajtur një rol kyç në garantimin e shërbimeve spitalore të avancuara për qytetarët.

U.D/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?