SARANDË- Disa zona të Sarandës nga mbrëmë është pa energji elektrike. Qyteti bregdetar ka qenë në errësirë prej orës 22:00 të mbrëmjes së 3 Korrikut, dhe kjo pasi sipas CEZ-Shpërndarje është vjedhur 2 kilometra tel përcjellës nga rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në Sarandë. Ndërsa energjia është rikthyer sot pas zëvendësimit të telit. 
 
Përmes një njoftimi zyrtar të CEZ, bëhet e ditur se specialistët e kompanisë punuan në kilometrin e 12-të të Linjës L30-22 Bistrica -2 Saranda 35, për të zëvendësuar përcjellësin e vjedhur të energjisë.
 
“Por pas përfundimit të punimeve, specialistët kryen provën e shpërndarjes së energjisë, e cila rezultoi prap me një shkëputje tokësore në kilometrin 6. Pas verifikimit rezultoi se gjatë kohës së zëvendësimit të pjesës së vjedhur në segmentin e parë grupi i hajdutëve vijoi vjedhjen në 2 kampata të tjera, 6 km më larg. Për pasojë Nënstacioni Saranda 35 që furnizon zonën e bregut është ende pa tension”, thuhet në njoftimin e CEZ.  
CEZ njofton se për rastin në fjalë ka bërë denoncim në polici për dëmin e shkaktuar dhe për autorët e vjedhjes
 
 “CEZ Shpërndarje shpreh shqetësim dhe indinjatë për këto veprime të kundraligjshme që shkaktojne jo vetëm dëme financiare për kompaninë, por krijojnë një situatë të vështirë për funksionimin  normal të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët.CEZ Shpërndarje i bën apel organeve të rendit  të vënë përpara drejtësisë personat përgjegjës për këtë grabitje”, përfundon njoftimi i CEZ.   

Sakaq, policia e Sarandës ende nuk është shprehur zyrtarisht.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)