Rikthehet imazhi i ndritur i
Abat Preng Doçit sot në Rubik

Rikthehet imazhi i ndritur i<br />Abat Preng Doçit sot në Rubik
TIRANE- Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri rikthehet në vëmendje të publikut shqiptar figura e Abat Preng Doçit, për të cilin sot Ministria e Kulturës do të organizojë në qytetin e Rubikut tryezën e rrumbullakët: “Abat Preng Doçi – Rilindës i madh, misionar i dijes dhe kulturës kombëtare”. Abat Preng Doçi është një ndër personalitetet me te rëndësishme të Rilindjes dhe i fillimit të shek. XX në historinë e Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe.

Ai është bashkëpunëtor i De Radës dhe Kamardës, dhe u shqua si mendimtar, poet, publicist, veprimtar politik e kulturor, themelues i shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe Komisisë Letrare nga e cila trashëgojmë alfabetin latin të shqipes. Pavarësisht faktit se autoriteti dhe ndikimi i tij tek personalitetet bashkëkohëse ishte shumë i madh, kontributi i shquar i Abatit të Mirditës, si dhe i shumë figurave të tjera prelatësh katolikë, është pak i  studiuar dhe i publikuar nga historiografia shqiptare.

Një pjesë e kumtesave të Tryezës së rrumbullakët do të përqendrohen tek data 7 dhjetor 1996, e cila ishte një ditë e paharrueshme për Mirditën dhe Kishën katolike në Shqipëri. Papa Gjon Pali II themeloi Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë), në vendin e Abacisë territoriale të Oroshit, duke ia kushtuar Virgjërës së Shenjtë, Mbretëreshës së Botës. Mirdita është e vetmja trevë shqiptare krejtësisht katolike. Është vendi i katër kuvendeve benediktine (Orosh, Shpal, Ndërfanë dhe Rubik) qysh prej kohëve të hershme. Abacia e Mirditës mbi Malin e Shenjtë të Oroshit, përmendet në dokumente qysh nga shekulli XIV.

Abacia e Shën Llezhdrit fitoi një rëndësi të veçantë në vitin 1888, kur u reformua nga abat Imzot Prend Doçi, i cili e drejtoi për 30 vjet. Por, shkëlqimi i Abacisë ra me marrjen e pushtetit nga regjimi komunist e sidomos pas daljes së ligjeve kundër institucioneve fetare në vitin 1967. Për Abat Preng Doçin, këtë figurë të shquar të historisë dhe kulturës shiptare do të ketë një program shumë të pasur sot paradite në Qendrën Kulturore “Abat Doçi” Rubik. Një ndër aktivitetet e rëndësishme është ekspozita e klerit dhe bashkëjetesës fetare, titulluar “BESIM”, me kuratorë artistët Edi Hila dhe Zef Paci, e cila realizohet në bashkëpunim me komunitetet fetare në Shqipëri”.

Aktivitetin do ta ccelin sot në Rubik përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Cristoforo Palmieri, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, si dhe Gjok Vuka, Kryetar i Bashkisë Rubik. Gjatë aktivitetit Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Gjet Ndoji, do të referojë mbi figurën e Abat Preng Doçit temën “Kontributet e Abat Preng Doçit në kulturën dhe gjuhën shqipe”. Ndërsa prof. Shaban Sinani do të mbajë kumtesën “Dukuritë etnologjike në shkrimet e Abat Doçit”. Të tjera kumtesa do të jenë nga nga Prof. Mark Tirta: Prof. Tomor Osmani, Gjon Marku, Prof. Aleksandër Meksi.

Gjatë ditës do të ketë një sërë aktivitetesh të tjera si: Vënia e pllakatës “Shtëpi Monument Kulture” në kullën dykatëshe të Abat Doçit, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë Rubik; Vendosja e pllakatës “Monument Kulture” tek Guva me piktograme në Rubik; dhënia e Çmimit të lartë nga Presidenca për Abat Doçin; Promovimi i librit monografik “Abat Preng Doçi” i autorit Luigj Martini, etj.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë