KORCE- Të rinj të talentuar nga shkollat artistike të Shqipërisë, të cilët interpretuan arie operistike, romanca dhe këngë tradicionale shqiptare, duke ndërthurur trashëgiminë klasike me energjinë e brezit të ri janë bërë pjesë e Festivalit të Këngëtarëve Lirikë “Tefta Tashko Koço”.
I frymëzuar nga figura e artistes së njohur, aktiviteti synon të krijojë një urë lidhëse mes traditës dhe artistëve të rinj.
“Korça gjithmonë reflekton kulturë, traditë dhe histori. Sot i rikthehemi një tradite të nisur në vitet ’80, kur emra të mëdhenj të skenës shqiptare u evidentuan dhe më pas bënë histori, si Edit Mula apo Inva Mula. Ne po e sjellim këtë në kontekstin e të rinjve. Kemi një shkollë muzike me vlera të jashtëzakonshme dhe menduam të krijojmë Festivalin Mbarëkombëtar të Këngëtarëve Lirikë të shkollave të mesme. Presim pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, tha Petrika Tollkuçi, Kryetar i Këshillit të Qarkut të Korçës.
Këtë vit festivali nuk ka çmime, sepse sipas organizatorëve, synimi i tij është ballafaqimi artistik dhe jo konkurrenca.
Ilir Zguri, drejtor i shkollës artistike “Tefta Tashko Koço” shprehet se “kemi ndjekur historinë e këtij festivali, i cili është zhvilluar edhe më parë në Korçë me këngëtarë profesionistë. Ideja jonë ishte ta ringjallim duke e nisur me nxënësit e shkollave artistike. Marrin pjesë liceu artistik nga qytete si Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora dhe Korça. Është hera e parë që organizohet në këtë format dhe synimi është të krijohet traditë.”
Në festival morën pjesë të rinj nga shkollat artistike të Korçës, Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit dhe Elbasanit. Ata interpretuan arie operistike, romanca dhe këngë tradicionale shqiptare, duke dëshmuar nivel të lartë përgatitjeje dhe pasion për muzikën klasike.
Ailis Disha, interpretuese shprehet se “vij nga Durrësi. I jam përkushtuar shumë kësaj pjese dhe mezi e kam pritur këtë moment.”
Luke Mllugja, pedagog i kantos në shkollën “prenkë jakova”, Shkodër tha se “me të drejtë ne zgjodhëm ë dy pjesë shqipe, “Moj e bukura More” dhe “Moj e bukura në Kru’” dhe një duet nga Tish Daija. Të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë do të ngjiten në skenë jo vetëm për të kënduar por për të përcjellë histori.”
Programi artistik u pasurua edhe me interpretimin e një kuarteti instrumentistësh nga Korça, të cilët sollën përpunime të muzikës shqiptare.
Në përfundim të mbrëmjes, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata nga Këshilli i Qarkut Korçë, ndërsa organizatorët theksuan synimin për ta kthyer festivalin në një traditë të përvitshme në shërbim të promovimit të artit lirik në vend.
Komente








