Rikthimi i Belinda Ballukut në detyr nga Gjykata Kushtetuese deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Rama, për Aulon Kalanë është vendim që ngre pikëpyetje.

I ftuar në emisonin ‘5 pyetjet nga Babaramo, Kalaja tha se SPAK mund të marrë masa të tjera ndaj Ballukut, duke mos përjashtuar edhe vendosjen e një mase arresti në shtëpi.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për korrupsion të zakonshëm, por për krim të organizuar ekonomik, ndërsa theksoi se të gjithë tenderët e kaluar nga Belinda Balluku janë tashmë nën sitën e hetimeve.

‘Në këtë vendim unë kam pikëpyetjet e mia. Dyshoj për integritetin e kësaj gjykate. Unë e shoh Ramën në një hall të madh sepse ai tha s’do merrem me njerëz të pandehur dhe Balluku është e pandehur. Ai i ka larguar njerëzit që kanë pasur probleme me drejtësinë. Në këtë rast kam parë dimensionin e një avokati. Se çfarë halli ka, kjo kuptohet qartë. Unë them se pas Ballukut fshihet Rama. Ajo është njeriu më i pushtetshëm pas Ramës.

Mendoj se SPAK do marrë masë tjetër ndaj Ballukut, mund të kemi një masë arresti për të. U tha në fillim se kemi të bëjmë me një rast për mbikëqyrjen, pas këtij doli tuneli i Llogarsë, më pas doli dosja e lotit të unazës së Madhe, pas kësaj do të dal aeroporti. Nuk kemi të bëjmë me korrupsion por me krim të organizuar ekonomik. Unë them se janë në sitë të gjithë tenderat e kaluara nga Balluku’, tha ai.

Juristi Leonard Karaj tha se debati kryesor që duhet të trajtojë Kushtetuesja është se cilat kompetenca i janë marrë Kryeministrisë nga drejtësia.

‘Kryeministri si institucion ka si kompetencë shkarkimin dhe emërimin, dhe se ka ekzkluzitivitet emërimin sepse për emërimin duhet të bëhet edhe dekretimi nga presidenti. Por kryeministri s’ka kompetencë për pezullimin dhe debati që duhet të shprehet GJK është ca kompetence i ka marrë drejtësia institucionit të Kryeministrisë. GJK përderisa e ka ngrirë vendimin, GJKKO nuk duhet që të shprehet, nëse do të ketë një seancë në apelin e GJKKO para vendimit të GJK nuk do të ishte normale që të shprehej’, tha ai.

Avokati Edmond Petraj tha se seanca plenare në Gjykatën Kushtetuese për Ballukun duhet që të jetë hapur për publikun. Ai tha se kjo duhet të aplikohet jo vetëm për çështjen Balluku, por edhe për dosjet e mëdha që lidhen me Berishën dhe Metën.

‘Seanca plenare do të jetë ajo që do vendos dhe do shohim defektet që ka sot procedura penale që e ka detyruar gjyqtarin që ka marrë atë vendim dhe ka ndërhyrë tek një person që është deputet dhe ministër, pra ka dy imunitete të forta. Edhe nëse do të ishte vetëm ministre s’mund ta pezullojë, pa u shkarkuar. Nuk mundtë marrë një masë sigurie për një ministër jo më zv.kryeministër. Nëse do të marrësh një masë shtrënguese si arrest shtëpie duhet që ti drejtohesh Kuvendit. Unë them se seanca plenare në GJK të jetë e hapur për publikun , jo vetëm kjo por edhe seancat e tjera të dosjeve të mëdha për Berishën Metën dhe Veliajn të jenë seanca të hapur’, tha ai.