Legjenda e Romës në futboll, Francesco Totti, është shumë pranë rikthimit te klubi roman, këtë herë në një rol drejtues brenda strukturave të klubit.

Sipas raportimeve të gazetarit italian Nicolò Schira, marrëveshja mes palëve ndodhet në fazat përfundimtare dhe pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh. Edhe pse disa detaje mbeten ende për t’u diskutuar, optimizmi është i madh që bashkëpunimi të finalizohet me sukses.

Raportohet se një akord në parim është arritur më 2 mars, pas një takimi mes trajnerit të Romës, Gian Piero Gasperini dhe Tottit. Gjatë këtij takimi, ish-kapiteni legjendar ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në 'Olimpico' dhe për të kontribuar në menaxhimin e skuadrës.

Totti u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2017, pas një karriere të jashtëzakonshme 25-vjeçare me fanellën e Romës. Gjatë kësaj periudhe, ai realizoi 307 gola dhe 205 asistime, duke mbetur edhe sot golashënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe një nga figurat më ikonike të futbollit italian. Francesco u largua nga Roma në qershor 2019 , duke u ankuar për mungesë respekti nga ish-presidenti Pallotta.