Të mërkurën e 7 janarit Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi zgjatjen me shtatë muaj (deri në korrik 2026) të kontratës së trajnerit të Kombëtares, Sylvinho dhe ndihmësve të tij (Zabaleta dhe Doriva).
Braziliani 51-vjeçar ka reaguar për herë të parë në kanalet e komunikimit për firmën e re me kuqezinjtë, duke thënë se po vijon një projekt të ndërtuar me "shumë punë dhe profesionalizëm". Objektivi padyshim është faza finale e Kupës së Botës 2026, por më parë tanët do duhet të kalojnë nga faza play-off.
"Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin Kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet", shkruan fillimisht trajneri.
Sylvinho më pas tregon arritjet dhe kalimin në fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
"Deri më tani, kemi arritur një objektiv historik, kualifikimin për herë të dytë në historinë e vendit në finalet e Kampionatit Evropian, duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme, së bashku me kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Botërorit 2026. Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi", tregon braziliani.
Më pas 51-vjeçari flet për të ardhmen, duke kërkuar punë dhe përkushtim për objektivat.
"Ajo që na pret më pas do të kërkojë edhe më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë. Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri", ka mbyllur reagimin trajneri i Kombëtares kuqezi.
Në muajin mars, kuqezinjtë do të zhvillojnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi.
Kupa e Botës 2026 do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrikun e këtij viti në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Komente









