Propozimet për ndryshime në ligjin “Për prefektin e qarkut”, u diskutuan sot në një tryezë konsultative të drejtuar nga Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, në të cilën ishin të pranishëm të gjithë prefektët e qarqeve në vend.

Sipas draftit të përgatitur, në ligjin e ri do të forcohet roli i prefektit në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit, po gjithashtu edhe për emergjencat civile e për aspekte të ndryshme të sigurisë publike.

Një risi e propozuar është ajo e funksionit të “Prefektit Detar”, i cili ka në përgjegjësi mbrojtjen e vijës bregdetare.

Gjatë kësaj tryeze konsultative u vlerësuan propozimet e bëra dhe u bënë sugjerime interesante në lidhje me projektligjin e ri.

Duke qenë se po afrohemi drejt fundit të vitit, Ministrja Koçiu u kërkoi prefektëve të qarqeve një angazhim edhe më të fortë për të koordinuar strukturat në garantimin e rendit e sigurisë publike gjatë festave që po afrojnë, por edhe në lidhje me masat që duhen pasur parasysh në raste emergjencash.