Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka inspektuar sot një bllok të ri të transformuar në zonën e Freskut në Tiranë ku janë ndërtuar 12 akse të reja rrugore në një zonë që konsiderohej informale.

“Është kënaqësi shumë e madhe që jemi këtu në një bllok të ri të Tiranës. Kënaqësia është jo vetëm për bllokun e ri i cili ka 12 akse të reja në një zonë e cila ka qenë tërësisht informate, pa organizuar, me një dendësi shumë të madhe popullsie, por edhe për faktin që jemi në një inspektim të një pune rutinë të bashkisë së Tiranës dhe nuk jemi në raste të ndërhyrjeve emergjente ashtu siç kemi parë në pjesën tjetër të vendit”, tha Ristani.

Ajo falenderoi gjithashtu stafin dhe të gjitha strukturat në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut, duke theksuar rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës.

“Dua t’u drejtohem me një falenderim shumë të madh të gjithë atyre që kanë punuar jo vetëm në këto dy ditë që kemi pasur raste të reshjeve. Përpos helmit dhe të gjithë vështirësive njerëzit vazhdojnë të bëjnë punë e tyre siç e kanë parë bërë në këtë bllok ku u kanë dhënë frymëmarrje të gjithë banorëve të kësaj që quhet zona e Freskut, ku shumë njerëzve rruga nuk mund t’u bjerë sepse nuk jetojnë në këtë zonë apo nuk janë pjesë e kësaj pjese të Tiranës në aksin Veri Lindor të saj, por janë në pjesën më fundore ku kontrollojnë nivelin e lumit të Lanës, të Liqenit, apo të kolektorëve”, deklaroi Ristani.

Sipas saj, ajo që mund të kontrollojmë është që Bashkia e Tiranës të bëjë punën e saj dhe secili të bëjë punën e vet.

“Ata nga ne që merren me infrastrukturën të merren me infrastrukturë, ata që janë qytetarë të thjeshtë në të qenit dhe të trajtuarit që qytetit si shtëpinë e tyre, me përgjegjësinë e të trajtuarit si shtëpinë e tyre dhe për këtë dua t’i falenderoj sepse janë shumica e heshtur që nuk bëjnë zhurmë nëpër rrjete, por tregohen të përgjegjshëm me atë që është publike, me mjedisin që është publik, duke e trajtuar në respekt të të gjithë atyre që punojnë dhe të fëmijëve që do të rriten në këtë mjedis”, përfundoi Ristani.