Ristani paralajmëron spastrim të njerëzve të Bashës nga PD nëse Berisha merr drejtimin e partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit: Zgjedhje në të gjitha degët

Spastrim i PD-së nga njerëzit e Lulzim Bashës duket se është puna e parë që ka ndërmend të bëjë Sali Berisha nëse do të mund të marrë drejtimin e partisë pas Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit të thirrur prej tij. Kështu bëri me dije sot Arben Ristani nga Korça, i cili u shpreh se pas Kuvendit Kombëtar të PD më 11 dhjetorit, do të ketë zgjedhje në të gjitha degët e PD, dhe zgjedhje të kryetarit me sistemin një anëtar një votë.

"PD vepron në kushte të sovranitetit të saj, është vullneti i anëtarëve jo vetëm të kuvendit por të të gjithë PD, për të zgjedhur atë që ata mendojnë se e drejtojnë drejt fitores dhe prosperitetit. Se çfarë do zgjedhin, e se si do e zgjedhin, kjo mbetet për tu parë gjatë zgjedhjeve. Ky kuvend nuk do ta mbyllë këtë proces por do ta hapë atë. Pas kuvendit do të ketë zgjedhje në të gjitha degët e PD, dhe zgjedhje të kryetarit të PD me sistemin një anëtar një votë. Thashë kjo mbetet në vullnetin e anëtarëve të PD. Ndërkohë zoti Berisha është tërësisht i lirë në vullnetin e tij, për të ofruar punën e tij dhe mundësitë e tij për PD", tha Ristani.

Pavarësisht akuzave nga PD zyrtare, Ristani theksoi edhe njëherë se 4200 firmat e pretenduara të mbledhura prej tyre janë me vullnet të plotë dhe se Kuvendi do të mblidhet për  të shqyrtuar "veprimtarinë anti statutore të kryetarit të PD"

"Tashmë është e sigurt që në datën 11 kuvendi i PD i thirrur nga mbi 1/4 e anëtarëve do të mblidhet për të ndryshuar statutin e PD, për të shqyrtuar veprimtarinë anti statutore të kryetarit të PD dhe për të rifutur në statutin e PD dispozita të cilat do të bëjnë të mundur mbajtjen e referendumeve në PD. Është dorëzuar para disa kohësh siç jeni në dijeni, mbi 4200 firma të anëtarëve të kuvendit të PD, firmat janë në masë të mbledhura nga anëtarët e kuvendit, sigurisht me vullnetin e plotë të tyre. Janë dorëzuar në zyrat e këshillit kombëtar të PD, kanë qenë të hapur për median e për çdo të interesuar për t'u verifikuar. Nga ana tjetër keni deklarime të përditshme të anëtarëve të kuvendit nga degë të ndryshme të PD, shembuj të deputetëve të cilët kanë shkuar për t'i verifikuar këto firma kështu që është jashtë çdo dyshimi që firmat janë me vullnet të plotë. Për mendimin tim kuvendi i vetëm është ai i vullnetit të anëtarësisë të PD i cili do të mblidhet në datën 11. Kini parasysh demokracia është vullneti i shumicës dhe shumica do të mblidhet në datë 11, tha Ristani.

Ai shtoi se nuk mund të ketë një Kuvend tjetër me datë 18, i thirrur nga Basha, duke e akuzuar këtë të fundit se e ka çuar partinë nga humbja në humbje.

"Kini parasysh nëpërmjet mediave dhe publikut do të shohim se si shumica e anëtarëve të kuvendit të PD në datë 11 do të mblidhen, nuk mund të ketë një kuvend tjetër sepse nuk mund të krijohet një shumicë tjetër për datën 18. Nuk do të ketë në 18 një kuvend, të paktën jo një kuvend shumice. Do të ishte në nder dhe të pakicës të vinte në kuvendin e shumicës, të kishte mundësinë të verifikonte mbledhjen e shumicës dhe në këtë mënyrë të shkonim të gjithë drejt një procesi të rregullt e të pranuar nga të gjithë. Është në detyrën e pakicës të vijnë sepse organet drejtuese të PD edhe për aq sa në gjithë procesin e parregullt në të cilën janë zgjedhur sekretariatet, por përsëri e kanë për detyrë të vijnë. Që në fillim të kësaj lëvizje kurrë nuk e kemi patur një problematikë midis Berishës dhe Bashës. Është një problematikë dhe një konflikt midis anëtarëve të PD dhe kryetarit i cili shkel statutin në mënyrë të vazhdueshme. Konflikti nuk është midis Bashës dhe Berishës dhe nuk mund të zgjidhet midis tyre, ai është mes anëtarëve të PD dhe kryetarit Basha. Kryetari i cili e përsëris edhe një herë e ka çuar partinë nga një humbje në një tjetër", shtoi Ristani.

Pas përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar, Partia Demokratike është me e përçarë se kurrë. Berisha vijon 'luftën' përmes 'foltoreve' për të marrë drejtimin e partisë, si edhe ka shprehur hapur ambicien për kryeministër të vendit.

Në Partinë Demokratike janë thirrur dy Kuvende Kombëtare, një më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha, i cili ka paralajmëruar se se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu ede Sali Berishhën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!