Rita Petro: Pak poezi, për muzikën tonë!

Gjatë kësaj periudhe, publikimi i disa këngëve komerciale, realizuar edhe me videoklipe, që po i dëgjon veçmas brezi i ri, duket se është kthyer në shqetësim të madh për elitën kulturore në vend sa i përket përmbajtjes së teksteve të tyre. Nëse deri në vitet 2000 tekstet e këngëve ishin më të rafinuara dhe komplekse, tashmë ato janë të ndërtuara me një fjalor të vakët. Për “ReportTV” poetja Rita Petro rrëfen arsyet e mungesës së poezisë në këngët shqiptare.

 “Në një këngë bashkohen shumë elementë bashkë, muzika, tekst-shkruesi edhe performanca, imazhi. Sot nuk është më koha, si dikur që bëhej regjistrimi në radio dhe shijoje magjinë e këngës, sot ka vlerë të madhe edhe imazhi”, thotë Petro.

Tekstet që ende sot mbahen mend, janë të këngëve të para viteve '90 deri në vitet 2000, sepse ndërthurja në mënyrë profesionale e elementëve që Petro përmend, ka bërë që ato këngë t'i rezistojnë kaq gjatë kohës.

“Ne të gjitha krahasimet e këngëve që dalin sot, i bëjmë me këngët që kanë mbetur në vite. Por, nëse i bëjmë me ato këngë, do të mbetemi përherë të pakënaqur, se koha seleksionon vetëm hitet më të mira. Këngët që ngelen kanë frymë universale, kanë një tekst edhe muzikë të mirë dhe një zë të mrekullueshëm, pse jo edhe një video shumë të bukur. Sot videot janë përqendruara në disa elementë, që bëjnë një lloj çedukimi ”, shprehet poetja.

Fakti që sot kushdo mund të shkruajë tekste këngësh, na ka sjellë në këtë situatë që gjendemi, sa i përket muzikës shqiptare, por edhe niveli arsimor po e dëmton artin.

 “Në përgjithësi kantautorët i shkruajnë këngët vet. Të shkruash është edhe talent, s’do të thotë që je mirëfillti poet, por do të thoja se ka një lloj bastardimi me fjalët që ne i quajmë të pista. Unë s’jam për mentalitetin e vjetër, por problemi është sesa lexojnë këta njerëz, pasi të krijosh një këngë të bukur, duhet të informohesh dhe të bësh një gjë tënden origjinale”, shpjegon Petro.

Petro propozon dhe se çfarë duhet bërë në këtë drejtim.

“Në shkollë nuk merr ndonjë kulturë të madhe në fushën e muzikës, më shumë e merr informacion teorik. Mendoj se shkolla duhet të luajë një rol të madh në edukimin e veshit muzikor, përse jo, të mos të dëgjohen edhe simfonitë. Shkolla duhet të ketë një rol shumë të madh. Shteti duhet të mendojë dhe të investojë në drejtim të kulturës”, argumenton Petro.

Poetja përfundon se realizuesit e një kënge duhet të derdhin më shumë djersë, duke bashkëpunuar me profesionistet, sepse vetëm kështu do t’i bëjnë një shërbim të madh shoqërisë sonë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë