Rivaliteti i Tuk Jakovës dhe
Mehmet Shehut për numrin 2 të Partisë

Rivaliteti i Tuk Jakovës dhe<br />Mehmet Shehut për numrin 2 të Partisë
Udhëheqësit më të lartë të Partisë ishin njëherësh dhe drejtuesit më të lartë të pushtetit shtetëror; Enver Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës, Kryeministër dhe antar i Presidiumit të Kuvendit Popullor; Tuk Jakova Sekretar i Dytë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Zëvendëskryeministër dhe për shumicën e kohës edhe Ministër; Mehmet Shehu, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Zevendëskryeminsitër dhe Ministër i Punëve të Brendëshme; Bedri Spahiu, Sekretar i KOmitetit Qendror të Partisë së Punës dhe Nënkryetar i Presidumit të Kuvendit Popullor.

Këta katër udhëheqës kishin në dorë krejt drejtimin e shtetit në të gjithë krahët e qeverisjes. Në mes të Zevendëskryeministrave, duket se Mehmet Shehu kishte përparësi, sepse përmendet i pari, por duke marr parasysh se gjithë kuadri në vend kalonte nga zyra e Tuk Jakovës, del se ai ishte realisht zevendësi i padiskutueshëm i Enver Hoxhës. Sidoqoftë, ky sistem me angazhimin e Tukut në Parti, duke qenë dhe Zevendëskryeministër dhe të Mehmetit në Qeveri, duke qenë edhe Sekretar i Komitetit Qendror prodhoi rivalitet në mes këtyre të dyve për numrin dy të shtetit.

Ata kishin qenë dhe në luftë bashkë, e nderonin njëri-tjetrin, por kishin edhe rezerva dhe pakënaqësi që nga koha e luftës. Në ato kushte, Mehmet Shehu, pasi e kishte survejuar prej një kohe të gjatë Tuk Jakovën, më në fund, kishte gjykuar se “ishte mbushur kupa” dhe e kishte denoncuar tek Enver Hoxha dhe Ambasadori sovjetik Çuvahin për oportunizëm dhe devijim nga e djathta.
 
Qeveria e parë pas luftës.
Me 18 mars, Kuvendi Popullor pranoi propozimin e deputetit Mark Ndoja për dorëheqjen e Qeverisë, riemërimin e Enver Hoxhës si Kryeministër dhe vazhdimin e punës së qeverisë së vjetër deri në formimin e qeverisë së re. Pas brohoritjesh të shumta, Enver Hoxha e mori fjalën dhe tha: “Do të zgjedh rreth vetes shokë të sprovuar në luftë dhe në punë” për të kryer detyrat qeveritare, duke kërkuar disa ditë kohë për këshillime.

Pak ditë më vonë Hoxha paraqiti Kabinetin, duke marr duartrokitjet e rastit. Enver Hoxha tha se “në krijimin e Qeverisë ishte nisur nga dy kritere: Marrjen e njerëzve të besuar dhe të aftë”.

Qeveria kishte këtë përbërje:
Enver Hoxha, Kryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes Kombëtare.
Koçi Xoxe, Zevendëskryeministër, Ministër i Punëve të Brendëshme dhe Kryetar i Komisionit të Kontrollit.
Tuk Jakova, Ministër pa Portofol (pas 6 shkurtit të vitit 1948, Ministër i Industrisë).
Haxhi Lleshi, Ministër pa Portofol.
Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë dhe ( 6 maj 1947- 5 shkurt 1948) Ministër ad interim i Arsimit.
Spiro Koleka, Ministër i Punëve Botore.
Ramadan Çitaku (Kiço Ngjela, 6 shkurt 1948), Ministër i Financave.
Nako Spiru, Ministër i Ekonomisë dhe (13 mars 1947), Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Medar Shtylla, Ministër i Shëndetësisë.
Gaqo Tashko, Ministër i Bujqësisë; Sejfullah Malëshova (Naxhije Dume, 6 shkurt 1948), Ministër i Arsimit.
Gogo Nushi (31 janar 1947),Ministër i Tregtisë.
Nesti Kerenxhi, Ministër pa Portofol dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit (29 maj 1948). Pandi Kristo, Ministër pa Portofol (1946) dhe Kryetar i Kontrollit të Shtetit (1947).
Mehmet Shehu, Ministër i Komunikacionit dhe PTT-ve (6 shkurt 1948).
Kabineti ishte krejtësisht politik dhe i përbërë nga komunistë. Të gjithë antarët e tij kishin qenë drejtues të rëndësishëm të Luftës Nacionalçlirimtare. Në ndarjen e portofoleve, Enver Hoxha, përveçse Kryeministër drejtonte dy dikasteret e rëndësishme, të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, zëvendësi i tij, Koçi Xoxe drejtonte dikasterin e Punëve të Brendëshme dhe Komisionin e Kontrollit të Shtetit. Këta të dy udhëhiqnin Partinë, kishin në dorë të gjithë drejtimin e vendit. Kemi tre Ministra Shteti (pa Portofol): Tuk Jakova, Haxhi Lleshi dhe Pandi Kristo, të cilët në kushtet kur Kryeministri kishte mbingarkesë, do të kryenin një pjesë të punëve të tij, kryesisht në përcjelljen e udhëzimeve të Kryeministrit dhe kontrollin e zbatimit të tyre nëpër dikastere.
Nga 16 antarë të Kabinetit, vetëm Tuk Jakova, Haxhi Lleshi dhe Ramadan Çitaku ishin nga Veriu, të tjerët ishin nga Jugu, një praktikë që vazhdoi deri në fund të vitit 1990. Kjo mungesë përfaqësimi e Veriut bënte që tre antarët veriorë të Kabinetit të kishin njohje dhe mbështetje në të gjithë Veriun dhe dy prej tyre qenë të lidhur fort me trevat nga vinin: Tuk Jakova me Shkodrën dhe Haxhi Lleshi me Dibrën.
 
Tuk Jakova si deputet, Ministër dhe Zëvendëskryeministër
Veprimtaria e Jakovës si zyrtar i lartë i shtetit përfshin veprimtarinë legjislative si deputet dhe ekzekutive si Ministër dhe Zëvendëskryeministër. Si deputet ai është zgjedhur në tri legjslaturat e para të Kuvendit Popullor.
 
Legjislatura I: 25.03.1946 - 21.01.1950. Deputetët e qarkut Shkodër:
Arif Gjyli, Bardhok Biba, Beqir Gjylbegu, Bilal Parruca, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Gjovalin Luka, Halil Zeneli, Hysni Peja, Kol Prela, Konstandin Boshnjaku, Mark Ndoja, Nesti Kerenxhi, Riza Dani, Tuk Jakova, Zef Haxhija, Zia Dibra.
Gjatë Legjislaturës së Parë, me emrin e Jakovës lidhet drejtimi i Asamblesë Kushtetuese që e shpalli Shqipërinë “Republikë Popullore”. Si deputet, por edhe me cilësinë e Presidentit të Bashkimit të Sindikatave, Tuk Jakova propozoi që data 29 nëntor të bëhet festë zyrtare. Festat e
tjera zyrtare që i miratoi Kuvendi Popullor ishin: Shpallja e Pavarësisë me 28 Nëntor, çlirimi i vendit me 29 nëntor, fitorja mbi fashizmin me 9 maj, Kongresi i Përmetit me 24 maj, formimi i Shtabit të Përgjithshëm me 10 korrik, Konferenca e Pezës me 16 shtator.
Si drejtues i Sindikatës dhe mbrojtës i të drejtave të puntorëve, gjatë miratimit të ligjit “Për marrëdhëniet e punës“, Jakova kundërshton dallimin ndërmjet punonjësve të shtetit dhe atyre të sektorit privat.

Në sesionin e gjashtë të Legjislaturës së Parë që vazhdoi në periudhën 21 shkurt-1 mars 1949, Tuk Jakova ka munguar në të gjitha seancat, ndërsa në sesionet e tjera ka marrë pjesë. Mungesa duhet të lidhet me angazhimet e tij në detyrat e shumta që kishte.
 
Legjislatura II: 30.06.1950 - 14.04.1954. Zgjedhjet u mbajtën më 28 maj 1950. Rrethi Shkodër kishte deputetë:
Beqir Gjylbegu; Gjovalin Luka; Haxhi Hajdari; Qamil Gavoçi; Roza Hila; Sadik Bekteshi; Todo Kavaja; Tonin Jakova; Tuk Jakova; Zenepe Ashiku. Në numrin e deputetëve nuk janë përfshirë ata të rretheve të tjera të Qarkut të Shkodrës.
Në sesionin e jashtëzakonshëm të Legjislaturës së Dytë që u mbajt me 10 janar 1951, Tuk Jakova në emër të deputetëve Xhavit Qosja, Haxhi Hajdari, Eleni Terziu, Piro Gusho, Tajar Grepçka dhe në emrin e tij kishte propozuar që Ramiz Alia të zgjidhet antar i Presidiumit të
Kuvendit Popullor.

Në diskutimin që ka mbajtur rreth miratimit të planit dhe të buxhetit për vitin 1953, Tuku kishte kërkuar “ rritjen e investimeve në arsim, kulturë, shëndetësi dhe sidomos në kujdesin për nënat me shumë fëmijë”.

Në sesionin e pestë të Legjislaturës së Dytë pati një shkurtim të numrit të dikastereve. Ishin bashkuar Ministria e Bujqësisë dhe e Grumbullimit e Pyjeve në një dikaster, Ministrinë e Bujqësisë; nga bashkimi i Ministrisë së Industrisë dhe Minierave formohet Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit, nga bashkimi i Ministrisë së Tregtisë, Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Ministrisë së Komunikacionit formohet Ministria e Tregtisë dhe Komunikacionit, nga bashkimi
i Ministrisë së Arsimit, Komitetit të Kulturës dhe të Arteve, Komitetit të Radiodifuzionit dhe Drejtorisë së Poligrafisë formohet Ministria e Arsimit dhe e Kulturës; Ministrisë së Shëndetësisë i bashkohet Komiteti i Kulturës Fizike dhe Sporteve. 5

Përsa i përket drejtimit të Qeverisë, Mehmet Shehu kishte vazhduar në funksionet e tij, Zevendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Punëve të Brendëshme; Hysni Kapo, zevendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Bujqësisë, Bedri Spahiu, Ministër i Arsimit dhe Kulturës; Tuk Jakova, Ministër i Financave.
Në sesionin e shtatë të Legjislaturës së Dytë, Tuk Jakova kishte paraqitur projektbuxhetin e vitit 1954 dhe e kishte marrë disa herë fjalën për të dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të deputetëve.

Jakova u zgjodh deputet edhe në Legjislaturën e Tretë. Zgjedhjet u mbajtën më 30 Maj 1954.
Qarku Shkodër pati këta deputetë:
Adil Çarçani, Asim Latifi, Bardhok Zogu, Bejto Fasllia, Beqir Balluku, Cuf Kasemi, Gac Mazi, Gjin Marku, Gjon Gjonaj, Gjon Jaku, Gjovalin Luka, Halil Zeneli, Haxhi Hajdari, Manush Myftiu, Rifat Dedej, Roza Hila, Todo Kavaja dhe Tonin Jakova.
 
Pjesëmarrës në nëntë kabinete qeveritare
Tuk Jakova ka qenë pjesë e kabineteve qeveritare nga 22 marsi i vitit 1948 dhe deri me 21 qershor 1948, me një ndërprerje shtatëmujore në vitin 1947, kur ishte në shërbimin diplomatik si Ministrë Fuqiplotë në Beograd.
Kabineti i parë Hoxha: 22 mars 1946 - 1 tetor 1948.
Tuk Jakova - Ministër pa Portofol dhe pastaj Ministër i Industrisë
Kabineti i dytë Hoxha: 23 nëntor 1948 - 16 nëntor 1949.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër.
Kabineti i tretë Hoxha: 17 nëntor 1949 - 4 korrik 1950.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër dhe pas 8 marsit 1950 ad. interim Ministër i Industrisë.
Kabineti i katërt Hoxha: 5 korrik 1950 - 5 shtator 1951.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Industrisë.
Kabineti i pestë Hoxha: 6 shtator 1951 - 9 prill 1952.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Industrisë.
Kabineti i gjashtë Hoxha: 10 pril 1952 -31 korrik 1953.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Industrisë.
Kabineti i shtatë Hoxha, 1 gusht 1953 -19 korrik 1954.
Tuk Jakova - Ministër i Financave
Kabineti i parë Shehu, 19 korrik 1954 - 21 qershor 1958.
Tuk Jakova - Zëvendëskryeministër.
Kabineti i dytë Shehu: 6 qershor 1955 - 3 qershor 1956.
Tuk Jakova ishte Zëvendëskryeministër deri me 21 qershor 1955,
kur u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij erdhi Koço Theodhosi.
 
Po të shohim periudhat kohore kur ka ushtruar funksione ministeriale, del se rreth 4 vjet e gjysëm ka qenë Ministër në funksionet e Ministrit pa Portofol, të Industrisë dhe të Financës dhe rreth 6 vjet ka qenë Zëvendëskryeminsitër, shpesh duke qenë edhe Ministër. Për shumicën e kohës Zëvendëskryeministrat kanë qenë të ngarkuar me detyra të përcaktuara në drejtimin e një pjese të qeverisjes sipas dikastereve.
Në vitin 1951, Zëvendëskryeministrat kishin këtë ndarje pune në Qeveri:
Spiro Koleka Ministritë e Tregtisë së Jashtme, Minierave dhe Ndërtimit; Komisionin e Planit të Shtetit dhe Bashkëpunimin Tekniko - Shkencor.
Tuk Jakova: Ministrinë e Financave, Komunikacioneve, Shëndetësisë, Ekonomisë Komunale, Kryqin e Kuq dhe Arbitrazhin.
Gogo Nushi: Tregtinë dhe Kooperativat, Komitetin e Çpikjeve dhe Racionalizimeve, Industrinë dhe Artizanatin.
Manush Myftiu: Grumbullimin, Drejtësinë, Drejtorinë e Rezervave të Punës, Arsimin, Institutin e Shkencës, Komitetin e Fiskulturës, Radiondërlidhjen, ATSH, Drejtorinë Poligrafike.
Mehmet Shehu ndiqte punën vetëm në Ministrinë e Brendëshme që e drejtonte si Ministër.
 
Zevendëskryeministrat për sektorët e tyre, ndiqnin në mënyrë operative zbatimin e vendimeve dhe të urdhërave të Qeverisë dhe akteve të Kryesisë së Këshillit të Ministrave. Ata ushtronin kontroll në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike për realizimin e planit nga ana e ministrive, organizatave dhe institucioneve të sektorit të tyre, shqyrtonin propozimet e ndryshme që bëheshin nga ministritë, institucionet dhe organizatat e sektorëve të tyre; ngarkonin me
detyra shefat e sektorëve që i mbulonin këto probleme në Këshillin e Ministrave. Ata bashkëvepronin punën e ministrive, institucioneve dhe organizatave që hynin në sektorin e tyre; nënshkruanin aktet e sektorëve të tyre, para se t’i firmoste Kryeministri.

Zëvendëskryeministri kishte kompetencë që të bënte ndryshimin e antarëve të kolegjumeve të dikastereve që mbulonte deri në gjysmën e antarësisë, krijonte me inisiativën e tij komisione pune dikasteriale për studimin e çështjeve të ndryshme dhe përgatitjen e projektligjeve.
Kishte të drejtë gjithashtu t’u jepte dikastereve që mbulonte një shtesë fuqie puntore deri në 20 vetë.
Megjithëse nuk dallohet një hierarki midis Zëvendëskryeministrave, pasi të gjithë mbajnë raporte para Kuvendit Popullor për probleme të ndryshme, shkojnë si të ftuar në mbledhjet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, firmosin në mungesë të Kryeministrit, duket se si zëvendësuesi më i drejtpërdrejtë i Enver Hoxhës në Qeveri ka qenë Mehmet Shehu, edhe pse Tuk Jakova, për shkak të pozicionit politik që kishte, konsiderohej si drejtuesi më i rëndësishëm i shtetit pas Enver Hoxhës. Në paraqitjen e përbërjes së Qeverisë para Kuvendit Popullor, Enver Hoxha kishte përmendur të parin Mehmet Shehun si Zëvendëskryeministër, pastaj vinin me radhë Zëvendëskryeministrat e tjerë: Tuk Jakova, Hysni Kapo, Ing. Spiro Koleka dhe Spiro Pano.

Edhe në dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, i pari përmendet Mehmet Shehu.
Me këtë ndarje, Enver Hoxha kishte bërë dhe një shpërndarje të përgjegjësive, ku Tuk Jakova merrej kryesisht me punët e partisë dhe Mehmet Shehu me punët e pushtetit, edhe pse të dy ishin Sekretarë të Komitetit Qendror dhe Zëvendëskryeministra.
Në një diskutim të mbajtur me 22 tetor 1946 për problemet e qeverisjes së vendit Tuku thekson punën që duhet bërë për të pasur efiçiencë në drejtimin dhe organizimin e punëve. “Sot ndodhemi para problemeve ekonomike, - kishte theksuar ai. Ku duhet të kapemi për
t’i zgjidhur? Ne duhet t’i aktivizojmë dikasteret, t’i vemë në efiçiencë”. Kishte folur dhe për riaktivizmimin e industrisë ekzistuese. “Me fabrikat që kemi, të prodhojmë atë që mundemi. Si duket, që tani kanë mbetë batall: çimentoja, indistria e drurit, tullat, pastaj vaji, sapuni, pijet

alkoolike etj. T’i ringrejmë ofiçinat që të furnizojmë këtë makineri që kemi në dorë dhe të ngrejmë një fonderi të madhe”. Jakova i jep rëndësi çështjes së kooperativave të konsumit, se ato sipas tij “do të luftonin spekullimin. Duhet të caktohet një komision që të studiojë kooperativat e prodhimit, se edhe ky është një problem i rëndësishëm për ne. Për të luftuar spekullimin duhet të ketë një ent të grumbullimit që të mund të kontrollohet dhe tregtia mirë, për të mos qenë në tym. Stabilizimi dhe zbutja e çmimeve dhe ngritja e kooperativave të konsumit do të përmirësonte gjendjen ekonomike të brendëshme”. Jakova kërkon që të ngrihet Instituti i Sigurimeve, i cili duhet të bëhet sa më shpejt dhe të sigurojë puntorët që punojnë. Ai i kushtonte rëndësi dhe kualifikimit të punonjësve. “Ne duhet të rrisim kuadro specialistë, duhet të shikojmë çështjen e shkollave dhe kurseve industriale, të cilat do të japin mësime të përgjithëshme dhe të kenë degë për specialitete të ndryshme”. Duke qenë Ministër dhe President i Bashkimit të Sindikatave, ai kërkon që “Sindikatat të interesohen për shëndetin e puntorëve dhe për kontrollin në punë. Puntorët duhet të kontrollojnë punën, por jo të dalin sipër pushtetit”. Sipas tij “kontrolli nga poshtë bëhet për të çuar punën përpara, për të përmirësuar anët e dobëta dhe për të eleminuar abuzimet”.  

Jakova ngre dhe probleme të admininistrimit të financave. “Gjithë ky plan që po ngrehim në buxhetin e vitit 1945-1946 po mbyllet. Shifra e tij ka qenë mjaft e madhe. Një rol me rëndësi kanë luajtur tatim-fitimet, por që të plotësohet buxheti i ardhshëm, i cili do të jetë më i madh, çështja është nga do të nxirren të ardhurat. Shtetet e tjera po mundohen të forcojnë valutat e tyre. Duhet që edhe ne ta forcojmë valutën tonë.  Tuku ishte i lidhur shpirtërisht me shtresën që bëri luftën dhe sakrifikoi për çlirimin e vendit. Kur ishte diskutuar dekretligji për pensionet personale dhe familjare të ushtarakëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai kishte bërë vërejtje serioze për përmirësimin e tij dhe kishte propozuar që “atë projektligj ta marrin edhe njëherë komisionet në shqyrtim, duke u këshilluar edhe me shokët ushtarakë dhe të na e sjellin përsëri në mbledhjen e ardhëshme”.
 
Në sesionin III të Legjislaturës së Dytë të Kuvendit Popullor Tuk Jakova paraqet buxhetin e shtetit për vitin 1952, me cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe kishte mbajtur diskutimin kryesor për projektplanin pesëvjeçar në sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit Popullor.
Në gusht të vitit 1948, gjatë qëndrimit të tij në Moskë në krye të një delegacioni ekonomik shqiptar Tuk Jakova kishte paraqitur një kërkesën për 120 specialistë sovjetikë. Përfaqësuesit sovjetikë në bisedime i kishin thënë se “dërgimi i menjëhershëm i një numri kaq të madh specialistësh ishte i vështirë dhe prania e një numri aq të madh përnjëherë në Shqipëri do të shkaktonte thashetheme të ndryshme jashtë”. Burimet dipomatike sovjetike japin të dhëna të hollësishme për ecurinë e këtij propozimi. Pas bisedimeve të Tuk Jakovës me 30 gusht 1948, shqiptarët e pakësuan ofertën e tyre në 29 specialistë.

Në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave të BRSS nxori një dekret të 29 shtatorit 1948 “Mbi atashimin e ekspertëve në Shqipëri”. Në janar të vitit 1949, Qeveria shqiptare, pas rishikimeve të përsëritura bëri kërkesën që, përveç 29 specialistëve, i duheshin edhe 120 specialistë të tjerë, por më vonë e ishte shqyrtuar nga ana sovjetike dhe me 14 maj 1949 u vendos nga Këshilli i Ministrave të BRSS dërgimi i 36 ekspertëve në Shqipëri. 
 
 (Marrë me shkurtime nga libri “Tuk Jakova jeta dhe vepra”)

tuk jakova

tuk jakova

tuk jakova

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje