Cristiano Ronaldo është prezantuar në ekipin e ri Al Nassr, ndërsa para se të dalë para rreth 30 mijë njerëzve që kishin mbushur stadiumin “Mrsool Park”, dha një konferencë për shtyp.
‘Ylli’ portugez theksoi se kishte një mundësi të artë për të dhënë ndihmën e tij te Al Nassr, jo vetëm në fushën e blertë.
“Jam shumë krenar për këtë vendim. Përvoja ime në Evropë ka përfunduar, kam luajtur në klubet më të mira, tani është një sfidë e re. Jam shumë i lumtur me mundësinë që po më jep Al Nassr. Kam mbështetjen e familjes time dhe vlerësoj gjithçka që ata kanë bërë për mua. Është një mundësi e shkëlqyer për mua, jo vetëm në aspektin futbollistik, por edhe të mund të ndryshoj mentalitet. Kisha shumë klube në Evropë që u përpoqën të nënshkruanin me mua, në Brazil, Australi, Shtetet e Bashkuara, madje edhe në Portugali. Por për mua kjo është një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar me gjithë përvojën time, vizionin tim.”- u shpreh ai.
CR7 ishte i prerë kur u ngacmua për faktin se kishte braktisur futbollin elitar, pasi ndien se është në fundin e karrierës.
“Nuk është fundi i karrierës sime, nuk jam i shqetësuar për atë që mendojnë njerëzit. Jam shumë i lumtur dhe e di që ky kampionat është shumë konkurrues. Nëse mund të luaj nesër, edhe më mirë, unë jam këtu për të shijuar futbollin dhe njerëzit gjithashtu. Unë jam një lojtar unik, kam shumë rekorde, nëse do të mund të bëj më shumë këtu, do të jem shumë i lumtur. Kam ardhur këtu për të fituar dhe për të qenë pjesë e kulturës së vendit. Dua t’i bëj njerëzit të buzëqeshin me futboll të mirë.”- tha ai.
Mësohet se vetëm 48 orë pas zyrtarizimit të nënshkrimit të portugezit me Al Nassr, në Arabinë Saudite janë shitur rreth 2 milionë fanella me emrin e tij.