Cristiano Ronaldo ka bërë për vete edhe “Allianz Stadium”. Që portugezi do ishte idhulli i ri i stadiumit të bardhezinjve kjo ishte e qartë që më 10 korrik ditën kur u zyrtarizua kalimi i Ronaldos tek Juvja por mbrëmë ndaj Atletico Madrid Ronaldo shkruajti një tjetër faqe të historisë së tij legjendare. Ronaldo u shndërrua në lojtarin e Juventusit me më shumë gola në stadiumin e ri me 8 të tillë dhe do ketë mundësi të shënojë edhe të tjerë.
Statistikat e tjera thonë se ish-lojtari i Real Madrid është i 11-ti në historinë e Championsit që shënon triplet me dy fanella të ndryshme. Por Ronaldo është makthi i Atleticos dhe mbi të gjitha i Diego Simeones. CR7 është lojtari që i ka shënuar më shumë gola Atleticos gjatë drejtimit të Simeones. Janë 21 golat që Ronaldo i ka shënuar Los Colchoneros nën drejtimin e argjentinasit 10 më shumë se Messi. Me 124 gola në Champions numri 7 i bardhezinjve ka shënuar më shumë se e gjithë Atletico Madrid në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube.
Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe Ronaldo ishte lojtari i ndeshjes dhe i lumtur ka deklaruar:” Duhet të ishte një mbrëmje speciale dhe kështu ndodhi ,jo vetëm për golat e shënuar por për arritjen e skuadrës. Ky është mentaliteti i duhur për Championsin dhe kjo është krenaria që kemi por për të menduar për finalen është ende shpejt. Duhet të ecim hap pas hapi” e mbyll portugezi. /Nga Andi Kapxhiu/