Kjo foto me rosa të ngordhura e cila është bërë virale në rrjetet sociale është fokusuar në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit në Lezhë, si dëshmi e gjuetisë së paligjshme që ndodh në këtë rezervat natyror.  

Gjuetia ka sjellë rënien e numrit të shpendëve në lagunë gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare në censusin e janarit 2024 numërohen rreth 12 mijë individë nga 50 mijë që është kapaciteti i kësaj lagune.

“Natyrisht një ndër faktorët është terheqja pas tregut. Restorantet janë në brendësi të zonave të mbrojtura në Lezhë. Shpendët janë të rrezikuar nga gjahtarët e paligjshëm”, tha Jak Gjini ekspert mjedisi.

Shtimi i kontrolleve në terren si nga Administrata e Zonave të Mbrojtura ashtu dhe nga Policia e Shtetit shihet si domosdoshmëri për të ndaluar masakrën me shpendët ujorë.

“Duhet të shtohet kontrolli dhe duhet të jetë i mirëorganizuar. E gjithë zona duhet të jetë e mbrojtur, siç ka dhe statusin”, tha më tej Gjini.

 

Krahas sportit, gjuetia shfrytëzohet për biznes, pasi shpendët e egër, kryesisht rosat shiten në restorantet e Lezhës.