Prej 10 ditësh, në fshatin “Suk 1” të Roskovecit, kompania “Gener 2” e biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj ka nisur punimet për ndërtimin e një termocentrali me gaz, i cili pritet të përfundojë brenda dy viteve.
Banorët e Roskovecit dhe ambientalistët janë kundër TEC-it që do të prodhojë energji përmes djegies së gazit, pasi sipas tyre kjo do të shkaktojë ndotje të madhe të ajrit dhe të tokave bujqësore, ku aktualisht kultivohen perime dhe drithëra.
Sipas banorëve, një peticion me qindra firma është dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës dhe çështja tashmë është në proces shqyrtimi.
“Kemi dorëzuar një peticion me 880 firma dhe mbi 200 akte noteriale që janë depozituar në Gjykatën Administrative në Tiranë. Komuniteti është shprehur qartë kundër këtij projekti. Ndërkohë procedurat e termocentralit kanë kaluar afatet dhe për këtë arsye ne kërkojmë pezullimin e punimeve derisa të sqarohet gjithçka. Seanca e radhës është më 24 mars”, ka thënë banori Tofik Metushi.
“Kjo është një zonë shumë e zhvilluar bujqësore dhe blegtorale. Këtu prodhohen produkte nga serat që shkojnë edhe për eksport. Ne kemi frikë se gazrat që do të çlirohen nga termocentrali do të dëmtojnë bimët dhe gjithë prodhimin tonë”, ka thënë këshilltarja bashkiake e PD-së, Dhurata Malka.
Ambientalistët thonë se shoqëria aksionere “Fier Thermoelectric”, ku 30% të aksioneve i ka Bashkim Ulaj dhe nga 35% dy kompani greke, “Depa Commercial” dhe “Terna”, nuk ka rinovuar lejen mjedisore.
“Ka 10 ditë që kanë nisur punimet. Ne kërkuam të takoheshim me një përfaqësues të kompanisë ‘Gener 2’ për të parë dokumentacionin dhe lejet, sepse kemi dyshime që leja mjedisore mund të ketë skaduar. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, IKMT-së dhe institucioneve përgjegjëse të vijnë dhe të bëjnë verifikimet e duhura. Për një gardh apo çati të vogël shteti reagon menjëherë ndaj qytetarit, ndërsa për një projekt kaq të madh nuk shohim asnjë reagim. Edhe politika është në heshtje dhe kjo e penalizon komunitetin”, ka thënë ambientalisti Qani Rredhi.
Në tabelen e punimeve është shënuar vetëm Leja e Ndërtimit, e cila është lëshuar në shkurt të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Vendimi mban firmën e Kryeministrit Edi Rama dhe të Belinda Ballukut, e cila në atë kohë ishte ministre e Infrastrukturës.
Komente









