Konflikti mes dy fqinjëve për një grumbull drush përfundoi me vdekjen e një 69-vjeçari në Roskovec. Baftjar Vrapi, i cili prej kohësh vuante nga probleme të rënda shëndetësore, pësoi arrest kardiak pasi u përball me skenën e dhunshme të të birit me fqinjin në oborrin e shtëpisë së tij.
Ishte rreth ora 20:00 e se enjtes, në lagjen “Vrapaj”, kur mes familjeve Vrapi dhe Hoxhaj nisi përplasja. Siç dëshmojnë familjaret, sherri nisi për drutë e zjarrit që kishin zënë rrugën por situata mes dy familjeve u përshkallëzua deri në përplasje fizike mes djalit të 69-vjeçarit dhe fqinjit.
Burimet thanë se Vrapi ndodhej në verandën e banesës dhe e pa me sytë e tij konfliktin. Tentoi të ndërhynte për t’i ndarë por u shemb në tokë. Prej kohësh 69-vjecari vuante nga mushkëritë dhe mbahej me bombul oksigjeni. Për familjarët, përballja me konfliktin i shkaktoi një tronditje të fortë emocionale. Megjithatë, ata nuk fajësojnë palën tjetër për vdekjen e 69-vjeçarit.
Baftjar Vrapi u transportua në Qendrën Shëndetësore të Roskovecit, por pa shenja jete. Burimet thanë se kishte një shenjë në vetull por mbetet e paqartë nëse është shkaktuar nga goditja apo nga rrëzimi në tokë. Për këtë pritet të japë përgjigje ekspertiza mjeko-ligjore.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u dërgua në morgun e Fierit, ndërsa grupi hetimor mori në pyetje anëtarët e të dyja familjeve.
Forca të shumta policie patrullojnë në Roskovec, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktin mes familjeve Vrapi e Hoxhaj.











Komente
Komento