Për të shkruar këto rreshta u bënë shkas dy statuse që lexove në rrjetet sociale dhe një fjalim i kryeministrit. Statusi i parë është një perlë e mikut tim Ermal Hasimja, i cili me tone sarkastike kritikonte të gjithë opozitën që kërkon përjashtim, madje nga ajo listë nuk përjashtonte as veten. 

Statusi i dytë ishte i një anëtari të Këshillit Kombëtar të PD, i cili kritikonte nismën e Hasimes dhe të shoqërisë civile dhe me tone përjashtuese delegjitimonte çdo përpjekje për bashkim të opozitës, ose bashkim vetëm nën Berishën.

E treta, e cila më ngacmoi ishte fjala në Kuvend e kryeministrit Rama, i cili në dukje talli deputetët djathtas tij, por në fakt mesazhi dukej se u drejtohej të gjithë shqiptarëve, si një lutje që ta rrëzojnë nga pushteti. Duke u reformuar, duke u bashkuar dhe duke hequr peshat e vjetra. Ironia qëndron në faktin se kryeministri u tregoi të gjithëve rrugën se si ta rrëzojnë, nëpërmjet lojës së fjalëve “Ramaduro”, të cilën ai e merr si “Rama duro, se ne nuk jemi gati e as duam të të rrëzojmë”! Por në Kuvend janë çeta e besnikëve të listave të mbyllura, të cilët duan të ruajnë status quo-në e pushtetit të tyre. 

Fakti është që Rama nuk rrëzohet duke bërë bashkë rraqet e vjetra me disa rraqe të reja që, për disa kompromise pushteti, heqin dorë nga parimet para se të fillojë beteja. Kjo nuk është strategji politike, por kapitullim i organizuar dhe riciklim dështimi.

Rraqet e vjetra janë provuar, janë djegur dhe janë refuzuar dhe e kanë konsumuar besimin publik. Ato nuk frymëzojnë më askënd, përveç vetes. Rraqet e reja, në vend që t’i sfidojnë këtë konsumim, ulen në prehrin e tyre dhe justifikojnë pazaret, duke sakrifikuar parimet në emër të “realizmit politik”, stabilitetit, unitetit. Në përkthim të lirë: frikë për të qëndruar vetëm. Por realizmi pa parime është thjesht oportunizëm i zbukuruar.

Pushteti nuk rrëzohet me aritmetikë pazari, por me ide, integritet dhe guxim për të mos u bërë pjesë e llumit që pretendon të luftosh. Kur alternativa ndërtohet nga ata që kanë dështuar dhe nga ata që dorëzohen që në nisje, rezultati është i paracaktuar: zhgënjim i ri, apati më e madhe dhe pushtet më i fortë.

Me këtë lloj opozite, Rama nuk ka nevojë të manipulojë zgjedhje. Mjafton të presë. Kundërshtarët e tij bëjnë vetë gjithçka për ta mbajtur në pushtet: riciklojnë figura, vrasin shpresën dhe e shesin dorëzimin si maturi.

Me fjalë të tjera, Rama nuk mbahet në këmbë nga forca e tij, por nga dobësia e kundërshtarëve. Dhe dobësia fillon pikërisht aty ku parimet shiten për karrige, një emër në lista të mbyllura apo aleanca pa bosht.

Parimet nuk janë luks për kohë të mira. Janë minimumi moral për të kërkuar e fituar pushtetin. Kush i heq ato, nuk lufton Ramën, po i shërben.

Me rraqe nuk vjen ndryshimi. Ndryshimi kërkon njerëz që nuk kanë nevojë të riciklohen, sepse nuk janë konsumuar kurrë.

Rama nuk fiton sepse është i pathyeshëm. Fiton sepse përballë ka rraqe, që kanë frikë nga ndryshimi, nga pastërtia, nga politika pa pazar.

Me rraqe, të vjetra apo të reja, nuk rrëzohet pushteti. Rraqet janë vetëm justifikimi për humbjen e radhës./TemA