Njoftimi i shpërndarë dje nga AKEP-i, me anë të të cilit ju kujtohet mediave online detyrimi juridik për t’u regjistruar pranë QKB-së, si çdo aktivitet tjetër tregtar, solli shpërthimin e reagimeve të opozitës dhe të një pjese të mediave. Në një pjesë të shoqërisë shqiptare vazhdon të ekzistojë një rezistencë fiziologjike ndaj respektimit të rregullave.
Disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria Rama në pesë vitet e fundit, që kanë bërë të shpërthejnë akuza e polemika, në realitet ishin zbatimi i ligjeve që ekzistonin: ndalimi i ndërtimit pa leje, pamundësia për të legalizuar ndërtimin e bërë mbi tokën e tjetërkujt, detyrimi për të paguar energjinë elektrike, ndalimi për të tejkaluar normat e shpejtësisë me automjete, e drejta për të marrë tapinë mbi pronën, madje edhe ndalimi i duhanit në lokalet publike u dukën si fushata te jashtezakonshme, por ishin thjesht zbatimi i ligjeve në fuqi prej shumë vitesh, shpesh të votuara pikërisht nga opozita, e cila më pas çfarë nuk bëri për të mos i respektuar ato. Normaliteti u duk si diçka revolucionare.
Të rivendosësh rregulla në sektorin e mediave hyn në po këtë linjë të reformave – jo-reforma. Radiot, televizionet dhe gazetat nga ligji shqiptar konsiderohen si aktivitete normale tregtare dhe, në fakt, nuk ekziston prej kohësh në treg asnjë media nga ato tradicionalet që të mos jetë regjistruar pranë QKB-së dhe rrjedhimisht ato janë pajisur edhe me NIPT. Por ky është një rregull, që shumë media online nuk e respektojnë: rezultati i kësaj shmangieje të regjistrimit në QKB është se këto media online nuk paguajnë sigurime shoqërore për gazetarët e punësuar në to, nuk paguajnë tatimfitimin mbi reklamën e arkëtuar dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi civile për shpifjet e mundshme që publikojnë. Kjo është sikur, në një qytet, 30% e makinave të qarkullonin pa targa dhe shteti t’u jepte ultimatum paralajmërues: mjaft me anarkinë, brenda 72 orësh të gjitha makinat duhet të pajisen me targa. Ku është skandali këtu?
Mund të presësh që vetëm piratët të protestojnë, por dje, madje, protestën e drejtoi Lulzim Basha, kryetari i partisë kryesore të opozitës, që ofrohet si kryeministër i ardhshëm.
Në të gjithë botën demokratike mediat janë të regjistruara të paktën pranë autoriteteve tatimore, pasi edhe mediat kanë detyrimin të paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore për të punësuarit e tyre dhe e mbajnë përgjësi ligjore për lajme që botojnë. Më e çuditshmja në të gjithë këtë histori është se ka qenë kryeministri, i cili e ka nisur këtë luftë kundër informalitetit dhe nuk kanë qenë vetë gazetarët ata që ta kishin kërkuar më parë se politikanët. Problemi është se këtu gazetarët prej vitesh pranojnë të punojnë në ndërmarrje pirate, në të cilat, në më të shumtën e rasteve, nuk u njihen të drejtat themelore, duke filluar nga pagesa e sigurimeve shoqërore. Mungesa e sensit të së drejtës dhe sensit të detyrës nga ana e gazetarëve në vite është bashkuar më së miri me interesin e botuesve për të mbretëruar në kaos dhe në strategjinë e politikës, që e konsideron si shumë më të lehtë të manovrojë media që janë vetë pa rregulla e kështu, në fund të fundit, të dobta dhe të shantazhueshme.
Informaliteti i mediave ka dalë në pah edhe si terreni ideal për zmadhimin e kancerit të shpifjeve, një sëmundje ngjitëse, të cilën e ka shpërndarë një pjesë e politikës dhe vazhdon ta shpërndajë, duke i dhënë një goditje drejt e në zemër, më së pari, besueshmërisë së mediave, të cilat pa e kuptuar (apo si bashkëfajtore) marrin pjesë në masakrimin e përditshëm të së vërtetës dhe të profesionit. Edhe komuniteti ndërkombëtar ka këtu një dozë të tij të përgjegjësisë, pasi, ndërkohë që për vite me radhë e ka injoruar nevojën për të reformuar drejtësinë, duke e parë përbindëshin vetëm kur përbindëshi tashmë ishte bërë i pamposhtshëm, kështu vazhdon ta injorojë krizën e rëndë të informacionit, duke lejuar që shpifjet, fake news-et, informaliteti dhe mungesa e çdo lloj transparence mbi pronësinë dhe financimet të shkatërrojnë krejtësisht rolin dhe besueshmërinë e një shtylle të demokracisë.
Paradoksi këtu është se, ndërkohë që mediat dhe politikanët gënjejnë pa kurrfarë shqetësimi, duke pretenduar se ushtrojnë në këtë mënyrë të drejtën e lirisë së mendimit, nuk ka ende një qytetar “normal” që të mos indinjohet kur dikush ta quajë “gënjeshtar”. Fjala “gënjeshtar” në gjuhën e përditshme është e barabartë, në të vërtetë, me një ofendim, ndërkohë që të gënjesh në media, në Facebook apo në sallën e Kuvendit e transformon gënjeshtarin në pishtar të lirisë.
Në rast se kjo nismë e kryeministrit ka një gjynah, është se vjen vonë dhe vetëm si kërkesë për t’iu kundërvënë përhapjes së shpifjeve dhe fake news-eve. Nuk mund të mjaftojë, në fakt, për të vendosur rregull në xhunglën e informacionit, evidentimi i pronësisë në mediat online përmes një procedure të thjeshtë dhe të natyrshme të NIPT-it.
Në Shqipëri mungon një ligj mbi shtypin e shkruar dhe atë dixhital dhe, për rrjedhojë, mungojnë rregullat deontologjike dhe juridike, që mediat, gazetarët dhe botuesit duhet t’i respektojnë, siç ndodh në të gjithë botën. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut njeh si të vetmin kufi për lirinë e shprehjes respektimin e integritetit moral të njerëzve: si të thuash që shpifja është një krim etik në të gjithë botën e qytetëruar.
Të mendosh ta legjitimosh shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, siç po përpiqen të bëjnë një pjesë e Partisë Demokratike dhe e gazetarëve të saj militantë, është njësoj si të kthehesh tek barbaritë e “demaskuesve”, figurë monstruoze e shpifësve të partisë që akuzonin publikisht, nëpërmjet shpifjeve të tyre, pjesëtarët e komunitetit, që Enver Hoxha dhe shërbëtorët e tij donin t’i godisnin. Duke mos pasur prova dhe fakte për ta bërë këtë, përdornin thjesht fjalët. Këto fjalë pa asnjë bazë mjaftonin për të treguar objektivat, pjesën tjetër e përfundonin më pas killerat e partisë.
Komento