TIRANË- Përballë ndëshkimit nga GJKKO me gjoba për shkak të bojkotit, avokatët kanë përshkallëzuar protestën e tyre kundër rregullores së re që u ndalon përdorimin e celularëve në sallat e gjyqit. Nga e hëna, për herë të parë, bojkoti nuk do të prekë vetëm gjyqet në Gjykatën e Posaçme, por do të shtrihet edhe te seancat për masat e sigurisë.

Bojkoti i masave të sigurisë rrezikon të krijojë probleme për të gjithë të arrestuarit, të cilët duhet të dalin para Gjykatës për vlerësimin e masës brenda 72 orëve, ose në të kundërt arrestimi bëhet i pavlefshëm.

Vendimi u mor nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, pasi GJKKO nuk u tërhoq nga rregullorja e re por vijoi me gjobat me nga 50 mijë lekë të rinj për çdo avokat. Deri më tani, mbrojtësit kishin bojkotuar seancat e zakonshme gjyqësore, ndërsa masat e sigurisë zhvilloheshin normalisht.

“I jemi drejtuar edhe KLGJ-së për këtë problem dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ne duam që drejtësia të ecë përpara, që të zgjidhen problemet e individëve në Republikën e Shqipërisë. OSBE na ka dalë në mbrojtje. Edhe ndaj këtij reagimi, sërish nuk ka pasur një përgjigje nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion”, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Maks Haxhia tha se gjobat do të ankimohen duke i quajtur të padrejta, por në rast se GJKKO do të vijojë me ndëshkimet, gjobat për të gjithë avokatët do të paguhen nga Dhoma e Avokatisë.

“Gjobat ne do t'i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne. Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do t'i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do ta ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore”, tha Haxhia.

Avokatët përmes një shkrese i kishin kërkuar GJKKO që të shfuqizojë rregulloren e re pasi përcakton kufizime në ushtrimin e detyrës. Por GJKKO, nuk bëri asnjë hap pas duke këmbëngulur se ndalimi i telefonave celularë në sallën e gjyqit zbatohet për të gjitha palët dhe nuk pengon mbrojtjen, pasi avokatët mund të përdorin laptopët për të konsultuar dosjen elektronike, aktet dhe provat.

Edhe gazetarët, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores që, përveç kamerave, u ndalon edhe hyrjen në seancë me celularë, nuk janë akredituar në GJKKO. Ata e konsiderojnë celularin një mjet të domosdoshëm për përcjelljen e informacionit në kohë reale te qytetarët.