TIRANE - Ish- drejtori i AKKP dhe ish-zv/drejtori i këtij institucioni e dy persona të tjerë janë kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës, për shkak të kthimit të territorit të Gardës së Republikës, tek 4 persona privatë, që pretendojnë pronësinë e sipërfaqes së tokës. Kallëzimi është depozituar ditën e djeshme në njësisë Task-Forcë, pranë prokurorisë, ku të paditur janë ish-drejtori Avenir Peka, ish-zv.drejtori Agim Toro, ish-përgjegjësi juridik Ardian Spahiaj dhe ish-përgjegjësi i shqyrtimit të dokumentacionit në AKKP, Arben Cenaliaj. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar gazeta “Shqiptarja.com” denoncoi në tre numra të njëpasnjëshëm të gjithë praktikën kriminale që është ndjekur, lidhur me kthimin e kësaj prone tepër të lakmuar tek privatët. Tre muaj pas këtij denoncimi, drejtuesja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Sonila Qato, ka firmosur kallëzimin kundër katër ish-zyrtarëve të lartë, duke i akuzuar ata për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
 
SIPËRFAQJA 7554 M2
 
Sipas kallëzimit të AKKPsë Zyrtarët e mësipërm rezultojnë të kenë kryer shkelje të ligjit, duke kthyer një sipërfaqe prej 7554 m2 që i përket teritorit të Gardës. Kjo sipërfaqe përbëhet nga komplekse sportive, shesh për uljen e helikopterit dhe tunelet nëntokësore, që shërbejnë për dislokimin e mjeteve të blindura, si tanke dhe autoblinda. Sipas kallëzimit në dosje mungojnë konfirmimet nga institucionet përgjegjëse në zbatim të ligjit në fuqi. Janë shmangur korrespondencat dhe bashkëpunimi me autoritetet kompetente në administrim të të cilave ka qenë prona e kthyer. Në dosjet përkatëse janë vënë re shkelje të cilat kanë të bëjnë me procesin e aplikimeve, verifikimeve në terren, shqyrtimit të akteve nga grupi i punës, shqyrtimi nga Sektori Juridik dhe Kontrollit dhe vendimmarrja e Drejtorit të Kthimit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Kryerja dhe moskryerja me dashje e veprimeve dhe mosveprimeve të kundraligjshme nga ana e zyrtarëve bie qartë në kundërshtim me ligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” dhe VKM nr. 255, datë 13.04. 2010. Këto veprime kanë dëmtuar interesat e institucionit të Gardës së Republikës.
 
BRENDA 15 DITËVE
 
Rrëmbimi i kësaj sipërfaqe toke ka ndodhur brenda një afati 15 ditor, duke ju dhënë më pas tre shtetasve Pandora Kazanxhi, Aishe Përnaska, Leonidha Nishku dhe Hiqmet Dema, të gjithë trashëgimtarë të pasurive të familjarëve të tyre. Vendimi për kalimin e kësaj sipërfaqe tokësore nga pronësia e Gardës së Republikës, në emër të katër personave të sipërcituar, është marrë në një ditë të vetme, ku ish-kreu i AKKP-së Avenir Peka në 20 gusht 2013 i ka ndezur dritën jeshile, heqjes së 7554 metra katror nga teritori i Gardës së Republikës. Ndërkohë në 25 shtator 2013, Sali Berisha ka firmosur VKM, për kalimin
e sipërfaqes së tokës tek privatët.

Shkrimi u publikua sot (5.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print) 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)