Rreth 100 mijë persona janë evakuuar nga fshatrat e përmbytura në provincën Punjab, Pakistan, raportuan shërbimet e urgjencës.
Shërbimet e urgjencës thanë se kanë punuar për evakuimin e banorëve dhe bagëtive në zonat më të rrezikuara, raportojnë mediat e huaja.
“Ne kemi shpëtuar 100 mijë njerëz dhe i kemi transferuar në vende më të sigurta”, tha zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës në Punjab, Farooq Ahmad.
Kreu i qeverisjes në Punjab, Mohsin Naqvi, tha se reshjet e dendura të shiut i kishin shtyrë autoritetet në Indi të lëshonin ujin e tepërt të rezervuarit në lumin Sutlej, duke shkaktuar përmbytje në anën pakistaneze të kufirit.
Zyrtarët në anën indiane nuk u janë përgjigjur pyetjeve të bëra nga AFP lidhur me këto akuza.
Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive në Punjab paralajmëroi se shirat e parashikuar mund ta përkeqësojnë gjendjen me përmbytjet gjatë ditëve në vijim.
Pakistani është ende duke punuar në rikuperimin nga përmbytjet shkatërruese që vërshuan gati një të tretën e vendit në vitin 2022, duke prekur më shumë se 33 milionë njerëz.
Autoritetet pakistaneze kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga vërshimet arrijnë në vlerën e të paktën 10 miliardë dollarësh.