Mbi 10,500 aplikime janë regjistruar në vetëm katër ditët e para të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, duke treguar interesin e lartë të fermerëve për masat mbështetëse të këtij viti.
Lajmin e konfirmoi ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një vizite në AgroPikën e Lushnjës, ku sqaroi se numri i aplikimeve lidhet edhe me faktin që skema është hartuar pas konsultimeve me fermerët.
“Fermerët kanë qenë të përgatitur, sepse skema është ndërtuar pas konsultimeve të drejtpërdrejta me ta. Kjo reflektohet edhe në interesin e lartë që po shohim në ditët e para të aplikimeve”, u shpreh ai.
Salla vuri në dukje se një nga ndryshimet kryesore të këtij viti është ulja e pragut për përfitimin e mbështetjes në blegtori nga 100 në 50 krerë për të imtat, si dhe rritja e mbështetjes financiare për blegtorët.
Sipas ministrit, skema përfshin gjithashtu mbështetje për ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve, investime në energji diellore, sisteme të depozitimit të ujit dhe pajisje që ndihmojnë në përmbushjen e standardeve të sigurisë ushqimore.
Një tjetër element i skemës është mbështetja për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si dhe mundësia që fermerët të bashkojnë sipërfaqet bujqësore për të përfituar nga masat mbështetëse.
Ministri theksoi se aplikimet po kryhen përmes AgroPikave, platformës e-Albania dhe njësive të qeverisjes vendore, duke garantuar transparencë dhe akses të plotë për fermerët në të gjithë vendin.
Skema Kombëtare 2026 ka një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ndërsa aplikimet do të jenë të hapura deri më 26 qershor. Salla garantoi se do të mbështetet çdo fermer që përmbush kriteret e përcaktuara
Komente











