Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se në drejtoritë vendore të Tiranës, si edhe në Kamëz-Vorë, rezultojnë ende pa u tërhequr 3449 vendime legalizimi nga përfituesit përkatës.
Për të lehtësuar qytetarët dhe për të përshpejtuar përfundimin e procesit, ASHK ka publikuar listat e përfituesve në rubrikën “Publikime” në faqen zyrtare të institucionit.
Çdo qytetar mund të verifikojë nëse është pjesë e listës së përfituesve. Qytetarët që gjejnë emrin e tyre të publikuar ftohen të paraqiten pranë Drejtorive Vendore të ASHK në rrugën “Jordan Misja”, të pajisur me kartë identiteti, për të tërhequr vendimin përkatës të legalizimit.
Listat janë publikuar të ndara sipas drejtorive vendore: Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana Rurale 1, Tirana Rurale 2 dhe Kamëz-Vorë, në mënyrë që verifikimi të jetë sa më i thjeshtë dhe i shpejtë për qytetarët.
Tërheqja e vendimit është një hap i domosdoshëm për vijimin e procedurave të mëtejshme. Pas marrjes së Vendimit të Legalizimit, përfituesit mund të aplikojnë përmes platformës e-Albania për regjistrimin e pasurisë dhe pajisjen me certifikatën e pronësisë, hartën kadastrale dhe kartelën e pasurisë.
ASHK fton përfituesit që të verifikojnë sa më parë listat dhe të paraqiten për të përmbyllur procedurat, në mënyrë që të përfitojnë plotësisht nga procesi i legalizimit dhe regjistrimit të pronës.
Komente









