Rreze Dielli-Jug/ Kujdesi Shëndetesor
për pushuesit në Dhërmi dhe Himarë

Rreze Dielli-Jug/ Kujdesi Shëndetesor<br />për pushuesit në Dhërmi dhe Himarë
Sot Rreze Dielli në Jug ndodhej në Dhërmi dhe Himarë. Kamera e Report Tv na solli gjendjen e qendrave shëndetësore përgjatë bregdetit si edhe konstatoi mungesën e kullave të vrojtimit dhe rojeve bregdetare.
 
Përgjatë bregut të jugut, atmosfera që ofrohet nga natyra në kompozim më pushuesit që kanë ardhur këto ditë të nxehta ka gjallëri, a thua se kësaj zonë bukuria i shtohet edhe më shumë kur aktivitetet janë të shumëllojshme. Ajo që ne kemi shkëputur si një copëz të këtij pejsazhi të magjishëm është shërbimi mjekësor. Këtij bregu i janë bashkangjitur edhe qendrat shëndetësore turistike, të cilat në disa fshatra janë vendosur vetëm për gjatë sezonit veror për t’iu ofruar pushuesve shërbimin mjekësor.
 
Trokitëm në njërën prej këtyre qëndrave në Drimadhë, për të sjellë një informacion më të gjerë, për shërbimin më të domosdoshëm në bregun e jugut.
 
Takuam doktoreshë Erilda Zyko e cila për kamerën e Report TV u shpreh:

“Jam mjeke që punoj me kohë të plotë këtu në këtë qendër shëndetësore, që nga 1 Qershori deri në 15 Shtator. Unë jam doktoreshë në Tiranë, por gjatë sezonit veror jam caktuar të vij dhe të qendroj këtu.

Fluksi i pacientëve ka ardhur gjithmonë duke u shtuar dhe pritet të jetë akoma më i madh nga 15 korriku e deri në fund të gushtit. Ka raste nga më të shumëllojshmet dhe janë të shpërndara në gjithë 24 orarshin.

Ne punën e fillojmë në 8 të mëngjesit dhe e mbyllim rreth orës 8 të mëngjesit tjetër, pra është shërbim 24 orarsh. Ne këtu jemi një staf i përbërë nga 6 persona, 3 mjekë dhe 3 infermjerë. Deri tani nuk mund të themi se kemi pasur ndonjë rast të rëndë.

Çdo rast ka specifikat dhe vështirësitë e tij, por rastët që janë jo të menaxhueshme nga ana jonë, normalisht që duhet të çohen në klinika më të specializuara për të realizuar ekzaminime të cilat ne këtu i kemi të pamundura.

Problemet e pacientëve me të cila hasemi më së shumti janë viroza, të vjella, diarrë, dobësi trupore, këputje, pickime nga insektet, plagë sipërfaqësore. Kemi edhe persona që kanë sëmundje kronike të cilët vijnë për të pushuar dhe në një moment ç’balancohet ekuilibri që kanë arritu dhe kanë nevojë për ndërhyrje.

Disa nga këshillat për pushuesit janë, mosekspozimi në rrezet e diellit nga ora 11:00-17:00, duhet të përdorin krem me spf mbi 30, duhet të vishen sa më lehtë, me ngjyra sa më të hapura, lino ose pambuk që të thithin sa më pak rreze dhe normalisht duhet të ekuilibrojnë djetën e tyre ushqimore”.
 
U zhvendosëm në Himarë, për të marrë disa informacione lidhur me situatën që paraqitet në qendrën shëndetësore në këtë qytet, por asnjëri nga mjekët nuk mund të flasë, pasi drejtori i kësaj qëndre, Jani Gjoka u kishte ndaluar atyre të flisnin me gazetarët. Nga qendra shëndetësore në Himarë u larguam me përshtypje jo shumë të mira.
 
 
Mungesa e kullave të vrojtimit dhe rojeve bregdetare në Jug

Por ajo çka është më e nevojshme në bregdet ku të shumtë janë turistët që pushojnë këto ditë janë kullat e vrojtimit dhe rojet bregdetare. Lidhur me këtë përgjatë bregut të jugut ne kemi një lajm jo fort të mirë.

Kullat e vrojtimit, ndonëse duhet të vendosen nga bizneset që kanë baret dhe restorantet në bregdet, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet të kontrollohen edhe nga shteti.
 
Përgjatë gjithë bregdetit të Himarës, kullat e vrojtimit mungojnë, po ashtu edhe rojet bregdetare. Ne kemi bërë një vëzhgim të shkurtër për të parë edhe ato biznese nëse kanë vënë një kullë vrojtimi, por ajo çka ne kemi konstatuar është një mungesë e theksuar e kullave përgjatë gjithë bregdetit të Himarës.
 
Një pushues u shpreh se mungesa e kullave të vrojtimit është shumë shqetësuese, por duke qenë se kanë shumë vite që pushojnë në ato zona janë mësuar dhe nuk u bën përshtypje. Ai rrëfen se luajnë rolin e rojes bregdetare vetë. Fëmijët nuk i lënë të hynë në det pa krahëza mbrojtëse dhe si kullë vrojtimi qëndrojën vëtë prindërit.
 
Erdhëm edhe në gjirin e Jalit, për të vëzhguar për kullat e vrojtimit. Siç shohim kullë vrojtimi dhe roje bregdetare nuk ka.
 
Edhe në plazhin e Livadhit që i përket Himarës, sërisht kullë vrojtimi dhe roje bregdetare nuk ka.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)