Rreze Dielli Jug ka vizituar sot Dhërmiun dhe Himarën dhe na njeh me dy kapitenët dhe pasionin e tyre për detin. Ata na tregojnë eksperiencën e tyre me detin, emocionet që u dhuron, peripecitë që kanë hasur e shumë të tjera.

Kapiten Baçi, pasioni i tij dhe barka e vjetër

Pafundësia e detit të përçon mesazhe të shumta sa thellësia e mendimeve përshkruan jetën në një çast të vetëm.

Takimi me peshkatarët dhe punës së tyre ku pasioni i flet aq fort në shpirt sa lodhjet, orët e shumta dhe vështirësitë në det, i justifikojnë duke na ofruar nëpërmjet kamerës tonë kënaqësinë e kapjes së peshkut.
 
Kapiten Baçi na ftoi në barkën e tij të vjetër aty ku ai filloi gjithçka në një rrugë që do ti sillte të ardhura të shumta për të mbajtur familjen e tij. Tashmë ai kishte një biznes familjar ku ofronte peshq të shumëllojshëm.

Teksa shprehet për kamerën e Report TV kapiten Baçi tregon jetën dhe punën e tij:

“Unë njihem dhe është fakt që njerëzit këtu më respektojnë shumë. Duke qenë transparent te njerëzit, unë mendoj se këtu te unë janë mbledhur njerëz më një certifikatë mirësie dhe të gjithë ata që më frekuentojnë mendoj se janë pjesa e mirë e shoqërisë. Zakonisht kur një punë vjen nga detajet, nga djersa , vlerën e merr një ditë dhe kjo është vlerë e një 20 viteve të mia punë, që unë e kam filluar me këtë barkën që ne jemi mbi të sot të cilën nuk arrij dot as ta shes as ta lë në tokë më, pasi duhet patjetër të jetë në det.

Viti i prodhimit të kësaj varke është vit prodhimi 1982, kursë nën pronësinë time është që në vitet 2000. Është një barkë e prodhuar në Greqi dhe është barka e parë që mua më lidhi me detin kaq fort sa nuk shkëputem dot më. Është një barkë me gjueti tipike që për peshkatarët tanë nuk ishte e panjohur.

Me ndihmën e disa miqve, kolegë, peshkatarë etj nga zonë e Sarandës filloi historia me detin këtu e 20 vjet më parë.

Kisha një ëndërr për të zhvilluar turizmin, në disa zona në Itali punohej peshkim dhe turizëm, ku peshkatari merrte 5 pushues lartë, iktë gjuante, i argëtonte lart, i gatuante atë çfarë ai zgjidhte, ishte kënaqësi shumë paleshe. Deti është pjesë e jetës së peshkatarit dhe në momentin që atë e shfrytëzon me kritere ai mbijeton gjithmonë.

E kam gjykuar dhe me njerëz të vendimmarrjes që të kishim një liçencë peshkim-turizëm, por deri tani nuk kemi arritur gjë, shpresoj që të vihet në praktikë, është një sistem që do krijonte goxha vlerë. Me këtë barkë nuk dal më në det, kam ndenjur më shumë në tokë duke menaxhuar punën me kolegë peshkatarë, herë, herë dal me grep, por fakti është se deti më mungon.

Një qytetar bregdetar pa peshkatarë është një qytet fantazëm. Falë anijes time kam krijuar një punë të mrekullueshme me njerëzit që më respektojnë. Është biznes familjar”.
Kapiten Baçi në biznesin familjar kishte futur edhe djalin e tij, i cili vërtet ishte adoleshent. Edhe ai na përcolli emocione të punës së tij.

Oriku 14 vjeçar teksa shpreh emocionet e tij tregon:
“Unë punoj dhe më shumë e bëj për familjen se edhe unë do doja të shkoja në plazh pasi e kam mundësinë dhe lejen të shkoj, por ndjej nevojën të punoj. Babi më ka lidhur edhe me një pagë mujore për të më stimuluar”.

Zbarkojmë në peshkarexhën e Kapiten Behxhetit në Himarë
Lam pas Orikumin për të vazhduar drejt Himarës. Në këtë qytet bregdetar ndodhet porti, brenda të cilit ofrohen për pushuesit peshq të freskët, të sapo dalë nga deti.
Brenda njërës prej peshkarexhave pushuesit kërkonin me ngulm peshkun që ata dëshironin.

Kapiten Bexhet Nuredini, na ftoi në barkën e tij modeste për të na treguar fitoren e tij në një ditë në det. Ai punon 12 orë në ditë për të gjithë vitin. Kapiteni vjen nga Vlora në Himarë për të kryer biznesin e tij.
Nuredini tregon për Rrezi Dielli se ka 25 vite që punon në detin Jon.

kapiten bexheti
Kapiten Behxheti në peshkarexhën e tij në Himarë

“Kam 25 vite që punoj në detin Jon dhe e di shumë mirë zonat ku ka më shumë prodhim. Është zona para Dhërmiut. Peshku i detit Jon është më i mirë se peshku i ujrave të Vlorës apo Durrësit pasi uji këtu është më i kripur. Ne u rrimë shumë pranë klientëve, jemi bërë si miq me ta.

Sot përsa i përkët prodhimit nuk ishte ndonjë ditë shumë e mirë. Njerëzit më shumë preferojnë karkalecin, kallamarin, por ka dhe njerëz që preferojnë arragostën që i shkon dëri 100.000 lek kg. Arragosta është një specie që se kapim shpesh pasi qëndron në shkëmbinj e nuk arrijmë të afrohemi shumë afër. Përsa i përket çmimeve varojnë nga 500 lek kg i karkalecit, kallamari me  500 lek, merluci 1000 lek kg. Pra çmime të ndryshme”.
 
Kapiten Nuredini na tregoi edhe diçka tjetër interesante. Një peshkaqen i vogël i kapur në ujrat e Himarës, por ai tregon se ka kapur edhe peshkaqen nga 5 këintal, nga 4-5 peshkaqenë në vit. Por ai thekson se nuk i ka parë ndonjëherë të jenë grabitçarë, t ëvijnë afër detit apo të sulmojnë.

Një fakt interesant që rrëfen kapiteni është se vite më parë në zonën e Dhërmiut dhe ishulli i Rigosit ishte një balenë që vinte dhe vizitonte këto vende, por ka rreth 2-3 vite që se ka parë më.
Largohemi nga peshkatarët duke shpresuar se keni shuar kuriozitetin për një peshkatar që ka zgjedhur detin e pafundësinë e tij për të jetuar i lumtur dhe i plotësuar.