TIRANE - Shoqata e personave me aftësi të kufizuar protestoi sot para Kuvendit për të kundërshtuar projektligjin për këtë kategori, sipas të cilëve cënon të drejtat e tyre duke favorizuar qeverinë.

Kreu i kësaj shoqate, Sinan Tafaj tha gjatë protestës se sipas tij ministri Erion Veliaj po përpiqet të hedhë baltë ndaj kategorisë së personave me aftësi të kufizuar, duke e cilësuar këtë si një protestë kryetarësh, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se sipas tij projektligji i ri shkel të drejtat e kësaj kategorie të fituar ndër vite.

Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj ka reaguar në lidhje me protestën e organizuar sot nga personat me aftësi të kufizuar për projektligjin e ri për këtë kategori. “Respekt për cdo protestë, por SKEMA DO PASTROHET. FMN ka të drejtë, ndaj po kalojmë ligjin për Personat me Aftesi të Kufizuar që të heqim abuzuesit, jo të drejtat.” Shkruan Veliaj në Facebook.

Në fakt projektligji i Ministrit i Ministrisë së Mirëqënies Sociale përpiqet të heqë shoqatave private të drejtën për të përcaktuar statusin e të verbërve nëpërmjet të cilit njerëzit përfitojnë një kontribut shtetëror, duke e kaluar kompetencën e këtij statusi një komisioni shtetëror. Është pikërisht kjo lëvizje që zoti Tafaj kundështon.

Në dokumentin e fundit vlerësues për Shqipërinë, Fondi Monetare nderkombetare thotë se skema e ndihmës së invalidëve ka abuzime të rënda dhe puna e autoriteteve për pastrimin e saj ka mbetur pas,  një fakt ky që pranohet edhe nga vetë qeveria, e cila në letërkëmbimin me FMN, pohon se deri më tani ulja e pagesave për këtë kategori ka qenë e vogël dhe do të jetë më pak se parashikimet fillestare në buxhet.  

Vitet e fundit pagesat për personat me aftësi të kufizuar janë rritur me ritme shpërthyese. Sipas Ministrisë së Financave në periduhën 2010-2013, fondi që jepet për ta është dyfishuar duke denatyruar strukturën e shpenzimeve sociale.


Projektligji për këtë kategori të popullsisë është ndjekur nga zëvendësministrja e mirëqënies sociale Bardhylka Kospiri, që është vetë një person me aftësi të kufizuar.

Tafaj: Ligjin nuk guxoi ta miratonte as Berisha
Tafaj theksoi se Veliaj po përpiqet të hedhë baltë ndaj kësaj kategorie duke e cilësuar këtë si një protestë kryetarësh. Ai vijoi më tej duke u shprehur se vetë Ministri Veliaj është përpjekur për të bindur përfaqësuesit e kësaj kategorie të mos marrin pjesë në protestë, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se sipas tij projektligji i ri shkel të drejtat e kësaj kategorie të fituar ndër vite.

protesta pak

“Sot jemi mbledhur këtu për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj projektiligjit të paraqitur nga ministria dhe kjo protestë nuk është kundër qeverisë dhe as kundër PS-së por ështe kundër minstrit Erion Veliaj që ka sjell në parlament një projekt ligj që as qeveria Berisha nuk guxoi ta sillte'' tha Kreu i Personave të Verbër, Sinan Tafaj. ''Ne këtu jemi për të mbrojtur të drejtat tona që na kanë dhënë qeveritë e shkuara. Ajo që është e re në këtë sjellje është jashjtëzakonisht shqetësuese. Ministri Veliaj dhe shoqatat rreth tij që gjoja janë në fuknsionin tonë, kërkojnë të hedhin baltë ndaj nesh. Jemi organizatë e një shoqërie civile, e cila ka në themel të vetë interesin e thjeshtë. Përpjekjet e Veliaj për të hedhur baltë do të shtohen në të ardhmen dhe nuk është çudi nëse mund të na akuzojnë në të ardhmen. Ministri ka vënë në fokus për të goditur të drejtat tona, dhe ju e shikoni që ka deviacione si rezultat i lojërave të Veliaj dhe njerëzve pranë tij. Nëse Veliaj vijon kështu ai do të ketë sukses në dobësimin e zërit por ne jemi të vendosur për të kërkuar të drejtat tona, të cilat i kemi fituar me përpjekje të vazhduar. Zoti Veliaj ka kërkuar të krijojë përçarje mes grupeve sikur ne punojmë për të tjerë” tha Tafaj.

sinan tafaj

Veliaj: Respekt për çdo protestë, por skema do pastrohet
Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj ka reaguar në lidhje me protestën e organizuar sot nga personat me aftësi të kufizuar për projektligjin e ri për këtë kategori. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj thekson se pavarësisht se respekton çdo protestë, projektligji i ri synon të pastrojë skemën e programit prej 150 milionë dollarësh që shteti jep për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkaq sipas Ministrisë së Financave në periduhën 2010-2013, fondi që jepet për ta është dyfishuar duke denatyruar strukturën e shpenzimeve sociale. Çdo vit buxheti i shtetit jep 190 milionë dollarë për shtresat në nevojë. Por mbi 80% e kësaj shume shkon për skemën e invaliditetit dhe vetëm 20 % mbetet si ndihmë e mirëfilltë ekonomike për familjet e varfëra. 

Edhe Banka Botërore në një raport thekson se 31 % e atyre që përfitojnë nga pagesa e invaliditetit nuk kanë asnjë kufizim në aftësi ose kanë vetëm kufizime të pjeshme dhe paguhen pa të drejtë. 

veliaj fb

Më poshtë projektligji i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për PAK:

1. Ruan të paprekura të gjitha të drejtat e arritura deri më tani për personat me aftësi të kufizuara.
 
2. Jep një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.
 
3. Orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim përafrimin e legjislacionit të brendshëm me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
 
4. Përcakton konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), si standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
 
5. Ngre Këshillin Kombëtar për të diskutuar hapur mbrojtjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ku do të jenë anëtarë edhe 5 persona me aftësi të kufizuara/përfaqësues organizatash, si strukturë e ngjashme në legjislacionet e tjera si ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve” dhe ligji “Për barazinë gjinore”. Kriteret e përfaqësimit në këtë Këshill do të përcaktohen me akt nënligjor.
 
Ligji synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.
 
Në vitin 2009, Qeveria Shqiptare e firmosi dhe në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e  OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë  ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës.
 Projektligji u hartua me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës. Procesi i hartimit u bazua në bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar, pas një sërë takimesh publike. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, sqaron Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)