Një ligj i ri për donacionet dhe sponsorizimet synon të nxjerrë nga "zona gri" miliona euro që qarkullojnë në emër të ‘filantropizmit’.

Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj që është pjesë e paketës antikorrupsion për integrimin në BE me synimin për të vendosur rregulla strikte mbi financimin e parave nga donatorë në fusha të tilla si arti, sporti, shëndeti apo mjedisi.

"Vija e kuqe" është vendosur për krimin dhe bizneset me risk, pasi ligji vendos një filtër të fortë për origjinën e parave.

Ndalohen kategorikisht të jenë donatorë personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal apo trafikim.

Nëse drafti kthehet në ligj kështu siç është parashikuar, asnjë qindarkë nuk do të pranohet nga industria e lojërave të fatit, duhanit apo alkoolit për organet publike.

Por filtri nuk ndalet këtu. Sektorët më delikatë të shtetit, si sistemi i drejtësisë dhe Policia e Shtetit, shpallen "zona të ndaluara". Për të shmangur çdo ndikim të paligjshëm mbi uniformat blu dhe gjykatat, ato nuk mund të pranojnë asnjë lloj sponsorizimi. Edhe anonimiteti është i paligjshëm dhe çdo transfertë duhet të kalojë vetëm përmes bankës.

Por asgjë nuk vjen falas. Shteti ofron një "karotë joshëse” për biznesin: lehtësi fiskale deri në 30% të tatim-fitimit për ata që investojnë në art, sport dhe kulturë, me qëllim kthimin e këtyre fushave në motorë ekonomikë dhe turistikë për vendin.

Drafti ligjor bën një ndarje të qartë mes donacionit që e konsideron një dhuratë vullnetare dhe pa asnjë përfitim dhe sponsorizimit si një marrëveshje “biznesi” ku subjekti privat jep para ose mjete në këmbim të reklamimit dhe promovimit të emrit apo logos së tij.

Harta e përfituesve zgjerohet ndjeshëm. Përveç institucioneve shtetërore, sponsorizime mund të marrin tashmë edhe OJQ-të, klubet sportive, prodhuesit e filmit, madje edhe individë që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare në art e sport.

Kontratat me shtetin do të jenë publike për çdo qytetar në Regjistrin Elektronik Kombëtar i cili do të jetë nën Administrimin e Tatimeve. Ndërsa kontratat mes privatëve do të mbeten konfidenciale, por të aksesueshme nga organet ligjzbatuese.

Çdo kontratë do të jetë nën "lupën" e Agjencisë së Inteligjencës Financiare e cila do të ketë akses të pakufizuar për të parandaluar pastrimin e parave.

Kush tenton të fshehë të dhënat apo të pranojë para të paligjshme, do të përballet me sanksione të ashpra. Funksionarët publikë rrezikojnë shkarkimin për shkelje të rëndë disiplinore.  Ndërsa për subjektet private, gjobat shkojnë deri në 300,000 lekë, krahas humbjes së menjëhershme të lehtësive tatimore.

Ky projektligj synon të zëvendësojë ligjin aktual “Për sponsorizimet”, i miratuar në 1994-ën me disa ndryshime ndër vite, por pa parashikime për donacionet apo masat për transparencë. Mbetet për t'u parë nëse ky skaner i ri do të arrijë të pastrojë përfundimisht fushën e donacioneve nga hija e interesave të paligjshme.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë