Ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit, Mit'hat Havari dhe Arben Hajdarmataj komentojnë në studion e Report Tv vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që i hoqi dënimin me burg të përjetshëm vrasësit të katër policëve në Durrës në gusht 2009, Dritan Dajti. Për Havarin, ky vendim i Gjykatës ka demotivuar punën e Policisë së Shtetit, ndërsa paralajmëron se Dritan Dajti do jetë sërish i rrezikshëm edhe kur të dalë nga burgu pas 10 vitesh.
"Ka bërë 5 vrasje, ka marrë pesë burgime të përjetshme. Vrau katër policë dhe minimalisht kjo gjykatë...kush e dëgjon këtë në botë, imagjinoni në SHBA këtë...Kjo ka sjellë një gjendje dëshpëruese në polici, sepse policia e shtetit vuan, është nën trysni, në goditje të vazhdueshme, nuk e kanë vendin të sigurtë. Dritan Dajti del sërish nga burgu dhe është sërish i rrezikshëm, sepse është vetëm 48 vjeç. Për 10 vjet del nga burgu. Del 58 vjeç pas apelimeve etj", shprehet Havari.
Për Arben Hajdarmatajn gjyqtarët që zbutën masën ndaj Dajtit duhet të penalizohen. "Vendimi i Gjykatës është i papranueshëm. Një person që ekzekuton katër veta dhe një biznesmen, duke i çuar në pesë dhe Gjykata e Apeliyt i jep gjykimin e shkurtuar, nuk mund të imagjinohet nga asnjë njeri. Hetimi duhet të vazhdojë sepse kjo çështje nuk mund të mbyllet, duhet hetim edhe per ata që dhanë këtë vendim. Gjyqtarët janë të korruptuar, ose nën presion politik. Presionin politik nuk e bën opozita, sepse nuk ka asgjë në dorë. Vettingun nuk e kontrollon opozita. Këta gjyqtarë nuk e kanë kaluar Vettingun. Por politikës qeverisëse i intereson kjo kategori njerëzish për t'i pasur në krah. Reagimi i qeverisë erdhi pas dy ditësh. Punonjësit e policisë janë në demoralizim total kur shohin se vrasësi i katër kolegëve të tyre i shpëton dënimit të përjetshëm", tha ai.
Mit'hat Havari komenton edhe vendimin e Gjykatës së Hagës për Arben Frrokun (Lexo këtu). Sipas tij ai zgjodhi pikërisht Holandën për t'iu fshehur përballjes me drejtësinë në Shqipëri ku është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj. "Zgjodhi pikërisht vendin nga ku nuk mund të depërtohet. Ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi me Holandën. Ka apeluar vendimin e Tiranës. Dhe atje kanë marrë këtë vendim gjithashtu dëshpërues për strukturat e policisë së shtetit. Jam i bindur që familja e Frrokut është e entuziazmuar dhe ajo e Lamajt e pezmatuar", tha Havari.