Një profil i rremë në TikTok i ka kthyer fotografitë e një 16-vjeçari në objekt talljeje dhe poshtërimi publik. I mituri iu drejtua platformës iSigurt pasi zbuloi se dikush kishte marrë fotot e tij nga rrjetet sociale, i kishte montuar mbi trupa vajzash dhe i kishte publikuar në një llogari të krijuar enkas për ta denigruar.
Denoncimi, i siguruar nga Report TV, tregon se përveç fotove të manipuluara, në profil ishin vendosur edhe komente fyese ndaj adoleshentit. Sipas tij, fotografitë ishin marrë nga llogaria personale, e cila në atë kohë kishte qenë publike. 16-vjeçari kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për mbylljen e adresës, ndërsa pranoi se ende nuk ua kishte treguar prindërve situatën. Për të shmangur raste të tjera të ngjashme, ai e kaloi profilin në privat.
Rasti nxjerr në pah pasojat që mund të ketë bullizmi online tek të rinjtë.
“Kjo varet nga mënyra se si adoleshenti ose fëmija e përjeton, nga intensiteti që ka, nga fyerjet, nga sulmet që ndonjëherë janë edhe verbale, por edhe jo verbale. Këto bëjnë që ai ta përjetojë në mënyrën e tij dhe shpeshherë mund të izolohet, të mos komunikojë dhe të mos e ndajë me prindërit dhe familjen. Në disa raste bëhen shkak edhe mendime depresive, si pasojë e fyerjeve, ngacmimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme online”, thotë psikologia Anora Kroj.
Një tjetër denoncim i mbërritur në iSigurt tregon historinë e një adoleshenteje, e cila më 30 prill pa në TikTok një video me fotografitë e saj të shoqëruara me mbishkrime fyese dhe poshtëruese.
Sipas vajzës, kjo nuk ishte hera e parë. Ajo rrëfen se është përballur tri herë me profile të rreme dhe forma të ngjashme shantazhi. Për një person që dyshon se qëndron pas këtyre veprimeve ka bërë kallëzim në sektorin e Krimit Kibernetik, ndërsa çështja është referuar edhe në prokurori.
Psikologia Anora Kroj thekson se situata bëhet edhe më e rëndë kur autorët fshihen pas profileve anonime.
“Kur personi që dërgon mesazhe denigruese, ofenduese apo kërcënuese është i fshehur pas një profili anonim, ndonjëherë situata bëhet edhe më negative. Adoleshenti krijon dyshime për shumë bashkëmoshatarë të tij dhe nuk e di kush mund të jetë personi në anën tjetër. Në këto raste bëhet edhe më e vështirë për t’u menaxhuar emocionalisht situata”, thotë Kroj.
Dy rastet e siguruara nga Report TV tregojnë një problem në rritje në rrjetet sociale sic është keqpërdorimi i imazhit, krijimi i profileve të rreme dhe publikimi i përmbajtjeve denigruese që cenojnë jo vetëm privatësinë, por edhe mirëqenien psikologjike të të rinjve.
Kroj nënvizon se po aq e rëndësishme është të punohet edhe me fëmijët që ushtrojnë bullizëm ndaj të tjerëve.
“Kur adoleshenti edukohet dhe njeh më mirë gjuhën emocionale, ai bëhet më empatik. Kupton efektin e sjelljes së tij dhe dëmin që mund t’i shkaktojë tjetrit. Shpesh, edhe fëmija që bullizon ka problematikat e veta dhe ka nevojë për mbështetje dhe orientim”, thotë Kroj.
Për të forcuar mbrojtjen e të miturve në internet, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Policia e Shtetit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Ajo parashikon referimin e rasteve me elementë penalë tek policia, ndërsa rastet që kërkojnë këshillim dhe mbështetje do të adresohen përmes platformës iSigurt. Shifrat tregojnë se fenomeni mbetet shqetësues. Vetëm gjatë vitit 2025, në portalin iSIGURT.al janë raportuar 615 raste abuzimi online ndaj të miturve.
Komente






