TIRANË- Çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur sërish gjatë ditës së sotme, me 10 lekë për litër.  Bordi i Transparencës ka vendosur sot që një litër naftë do të tregtohet tashmë me 243 lekë, nga 233 lekë që ishte deri sot, sipas vendimit që ishte marrë në datën 27 prill. 

Në rritje është edhe benzina, që do të tregtohet me 223 lekë, nga 213 lekë që ishte deri tani. Gazi është rritur me dy lekë për litër, në 106 lekë. Ky është niveli më i lartë i çmimeve që prej 26 marsit, që ishte një prej vendimeve të para të Bordit të Transparencës. Niveli i ri i çmimeve do të hyjë në fuqi sot në orën 18:00.  

Në tregjet ndërkombëtare një fuçi naftë në bursë prej më shumë se një jave po luhatet poshtë vlerës 110 dollarë, pra nuk ka shtrenjtim të ndjeshëm të çmimit që mori hov pas luftës në Ukrainë. Kur Bordi mori vendimin e parë për caktimin e cmimeve të hidrokarbureve, në kohën e protestave kundër rritjes së cmimeve, për periudhën 17-21 mars, nafta tregtohej me 203 lekë për litër. Por në bursë më 22 mars, një fuçi kushtonte 111 dollarë, pra me një ndryshim të papërfillshëm nga cmimi që e gjejmë sot në tregjet ndërkombëtare. Ende nuk ka një shpjegim të dhënë nga institucionet se përse për një kohë të gjatë që nafta nuk luhatet në bursë, cmimi në Shqipëri vijon të rritet?

Nafta
Ishte 233 Lekë/litri
Bëhet 243 Lekë/litri
Benzina
Ishte 213 Lekë/litri
Bëhet 223 Lekë/litri
Gazi
Ishte 104 Lekë /litri
Bëhet 102 lekë /litri

Vendimi i Bordit të Transparencës datë  29.4.2022
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 29 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi: Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 29.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

·       231 Lekë/litri për gazoilin;

·       211 Lekë/litri për benzinën;

·       94 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 29.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

·       243 Lekë/litri për gazoilin;

·       223 Lekë/litri për benzinën;

·       106 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën). Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 29.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.