Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar për tregun e importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pa asnjë gjobë.

Pas mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme nga Autoriteti i Konkurrencës për propozimin e Sekretariatit për vendosjen e një gjobe për 5 kompanitë e konstatuara që kishin rritur çmimet në mënyrë të organizuar, u votua kundër, 3 anëtar të komisionit kanë votuar kundër ndërsa ishin vetëm 2 pro. Për këtë arsye ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK nuk ju është vendosur penalitete.

Pro vendosjes së gjobës ka votuar kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi dhe zëvendëskryetari Eduard Ypi, ndërsa kundër kanë votuar anëtarët Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba.

Në hetimin e thelluar të kryer nga Autoriteti i Konkurrencës prej një viti për këto ndërmarrje u konstatua se këto kompani dakordësoheshin për vendosjen e çmimit, duke sjellë automatikisht rritje të çmimit të miellit dhe bukës për konsumatorët shqiptar.

Të pyetur nga Report TV për vlerën e gjobës Autoriteti Konkurrencës, refuzon të bëjë të ditur shifrën e propozuar duke thënë se është në diskrecionin e Sekretariatit. Ndërkohë bazuar në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës gjoba për kompanitë që shtrembërojnë tregun gjoba shkon deri 10% të xhiros vjetore të vitit paraardhës të kompanive.

Pas kësaj shkelje u vendos që ndërmarrjet e lartpërmendura të mos caktimin e çmimeve, të mos ndanin tregjet dhe të raportonin pranë konkurrencës çdo tre muaj të dhëna mbi blerjet dhe shitjet. Pas monitorimit nga Sekretariatit të Komisionit të Konkurrencës është vënë re që detyrat e lëna nuk janë zbatuar dhe u propozua gjoba.

Ndërkohë pas më shumë se  një viti hetim dhe mbikëqyrje të tregut, burime nga Konkurrenca thonë se është hartuar një raport mbi bazën e të dhënave që kanë sjellë ndërmarrjet dhe të dhënave të marra nga dogana për importin e grurit apo miellit, por që në finale nuk është arritur të vendoset masa ndëshkuese.

Vendimi i zbardhur për këtë çështje do të bëhet publik brenda 15 ditësh. Nga ana tjetër gjatë muajit shtator çmimi i bukës është rritur me rreth 10%, dhe shkak sipas prodhuesve është bërë mungesa e grurit në tregun ndërkombëtar.

Pas këtij vendimi ka reaguar deputeti i PS Erion Braçe i cili thotë se është i shokuar nga ky vendim që zhbën interesin publik, dhe mbron fitimet e privateve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:06
Bordi i Autoritetit të Konkurrencës votoi kundër gjobës për tregtarët e miellit, Braçe reagon i indinjuar: I shokuar nga vendimi, legjitimon sjelljen e ndërmarrjeve

1632215079_Brace.jpg

Deputeti i PS Erion Braçe ka reaguar ashpër pasi bordi i Autoritetit të Konkurrencës votoi kundër gjobës për tregtarët e miellit që krijuan monopol në treg duke rritur çmimet e importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pa asnjë gjobë.  Braçe thotë se është i shokuar nga ky vendim kundër interesit publik në favor të disa njerëzve. Duke e cilësuar vendimin shqetësues Braçe shton se shmangia e gjobës, pra falja e këtyre kompanive, legjitimon sjelljen e këtyre katër ndërmarrjeve për rritjen e çmimit të bukës.

Postimi i Braçes:

I shokuar nga vendimi i komisionit te konkurrences lidhur me sjelljen e kater kompanive qe zoterojne tregun e grurit, miellit per buke etj. Behet fjale per miellin per buke, Buken vete! Behet fjale per ushqimin e shtreses me te varfer te shoqerise! Behet fjale per abuzimin e kater ndermarrjeve ne treg! Dua te spjegoj pak; Nje vit e pak me pare, Komisioni i Konkurrences, pas nje hetimi te gjate e te thelluar, ka identifikuar sjellje te koordinuar te kater ndermarrjeve ne treg dhe percaktim te cmime per grurin, miellin, perfshire miellin per buke; Ka lene rekomandime me vendim per to dhe ka lajmeruar monitorim nje vjecar te ketyre kater ndermarrjeve me nje qellim:

Zbatimin e rekomandimeve! Ne fund te ketij monitorimi, sekretariati i Komisionit te Konkurrences ka evidentuar moszbatim te rekomandimeve! Ne kete pike, ka vetem nje veprim, automatik e te pakundershtueshem: Gjobe ndaj ndermarrjeve nen hetim, vendim dhe rekomandim! Jo si qellim ne vetevete, por per te detyruar rikthimin e konkurrences ne kete treg! Asgje tjeter! Zgjedhja e tre anetareve te Komisionit te Konkurrences per te ndaluar aplikimin e ligjit qe legjitimon gjoben, eshte shqetesuese!

Shume shqetesuese! E dini pse? Sepse legjitimon sjelljen e ketyre kater ndermarrjeve, nga hetimi jo konkurruese, e me dem mbi cmimet e miellit, miellit per buke dhe vete CIMIN E BUKES, ne RRITJE e me kosto mbi shtresen me te varfer ne vend! Kaq! Cdo gje tjeter eshte nje banalitet qe zhben interesin publik, e mund ne favor te fitime te nje, dy, tre, kater privateve!