Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla nuk u ndahet ‘krushqve’ të opozitës, të cilët të enjten bashkuan votën me mazhorancën për miratimin e marrëveshjes që i hap rrugë përfaqësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, pavarësisht përpjekjeve të Gazment Bardhit për të ndryshuar tekstin e saj, duke kërkuar fshirjen e emrit të kryeministrit Edi Rama.

Sot ai ka publikuar në Facebook një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku Sali Berisha, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku shfaqen buzëgaz dhe në sinkroni çohen në këmbë ndërsa mbajnë në duar një pankartë ku shkruhet “Rroftë Edi Rama”.

Në përshkrimin që shoqëron videon, Balla shkruan: “Si duken krushqit sot sipas AI”, duke vijuar ironinë e tij publike ndaj opozitës.

Cikli i komenteve pikante me termin “krushq” nga Taulant Balla nisi gjatë protestës së parë të opozitës më 17 nëntor, të mbajtur para Kryeministrisë.

Në atë protestë, ai iu referua batutës së aktorit Besnik Çinari: “Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë”.

Që prej asaj kohe, kjo metaforë është përdorur nga Balla për të komentuar zhvillime ku, sipas tij, qëndrimet e opozitës bien në kontrast të thellë me veprimet e saj politike.