Gjithkush që mund të ketë menduar se mineralet janë një burim i mirë për zhvillimin e ekonomisë së një rajoni, duhet të llogarisë edhe efektet që shfrytëzimi i tyre ka.

Përveç dëmtimit të sipërfaqeve me kullota, ku këto minerale mirren nga kompanitë e liçensuara apo jo, në Kukës transportimi i mineraleve nga vendi që mblidhen deri tek ai ku grumbullohen, ka sjellë efekte shumë negative në rrugën nëpër të cilën kalojnë automjetet e tonazhit të rëndë që janë të ngarkuara me mineral, hekur-nikel.

Sot, autostrada Kalimash – Kukës është “skuqur” e gjitha dhe shkak për këtë është bërë qarkullimi në të i kamionëve që janë të ngarkuara me hekur-nikel dhe që nuk zbatojnë kriteret e transportit.

rruga e kombit ndotet me minerale

Ekspertët thonë se këto kamionë çdo ditë kryejnë transport minerali dhe nuk lajnë gomat e tyre, apo nuk mbulohen përsipër, për të evituar kështu edhe ndotjen e autostradës.

Por, çfarë duhet të bëjnë institucionet?

Policia rrugore është e para që “takohet” me një fenomen të tillë, pasi kamionët e ngarkuar çdo ditë ecin nëpër këtë arterie shumë të rëndësishme.
Deri tani, nuk dihet nëse efektivët e saj kanë vendosur masa ndëshkimore, pasi në këtë çështje duhet të përfshihet edhe Inspektoriati i Mjedisit e Pyjeve që ka tagrin që të kontrollojë dhe vërë përpara përgjegjësisë të gjitha kompanitë që nuk janë korrekte me zbatimin e ligjit për ndotjen që shkaktojnë në mjedis.
 
Udhëtarët që përshkojnë rrugën e Kombit, po ndeshen me këtë situatë aspak normale, pasi gjatë orëve të natës rruga mund të ngrijë, si pasojë e temperaturave të ulëta, dhe dheu që bie në trase mund të bëhet shkak për aksidente rrugore.

Ndërkohë, efekti më i rëndë është në shëndetin e banorëve që jetojnë përgjatë gjatësisë së ndotur, pasi hekur nikeli i pranishëm në sipërfaqe ndikon në shëndetin e njeriut.

rruga e kombit ndotet me minerale
 
Një fenomen i tillë ka qenë prezent në këtë rrugë edhe herë të tjera, ku kompanisë që mirëmban autostradën i është dashur që ta lajë gjithë trasenë, çka është e pamundur në këto ditë kur temperaturat janë të ulëta dhe uji që hidhet në të mund të ngrijë.

Në rastin më të fundit, ndotja është shfaqur më së shumti në njërën korsi të rrugës së Kombit, konkretisht në segmentin Fushë Dukagjin - Kukës - Malorja e Shehlerëve, në dalje të Kukësit. Si pasojë e kësaj prezence minerali dhe lagështisë, në trasenë e rrugës është vështiresuar qarkullimi.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)