TIRANË - Gropa për pallatin në Farkë që për pak u kthye në një tragjedi për ndërtesat e tjera përreth, ishte hapur për 7 kate, kur në fakt leja ishte marrë vetëm për tre kate. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky abuzim ndodhte nën heshtjen e ish-kryetarit të komunës në Farkë Fatbardh Plaku, i cili është kallëzuar penalisht në prokurori.
 
Për të shmangur të tjera rreziqe nga ndërtimet në këtë zonë, Veliaj tha se është pezulluar totalisht çdo ndërtim në Kopshtin Botanik.
 
“Moda ishte që merrnin lejen për tre kate dhe e bënin shtatë. Përdorej hapësira ligjore që lejonte legalizimin, që katet e tjera në vend që t’ia paguaje si taksë Bashkisë, i bëje me legalizim, a thua se ishte një fakir-fukara që ndërtonte kasollen e vet.  Dallimi mes nesh dhe tyre është se ne nuk jemi qaramanë, ne i japim zgjidhje gjërave. Kjo është arsyeja pse po japim zgjidhje në Farkë duke vendosur pilota dhe pezulluar totalisht ndërtimet në Kopshtin Botanik”, u shpreh kryebashkiaku.
 
Veliaj tha se Bashkia do të investojë për të rehabilituar zonën ku është shkatërruar rruga si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga hapja e gropës, dhe se kostoja e faturës do t’i ngarkohet kompanisë së ndërtimit, përveç gjobës që kjo e fundit duhet të paguajë për dëmin e shkaktuar.

Ne jemi duke projektuar sot, besoj do të marrim draftin, se si ne me një sistem pilot të thellë do të bëjmë një investim aty. Sigurisht, mua më dhemb të bëj investime të tilla, pse duhet të përdor taksat e dikujt që s’ka bërë asnjë gabim, për të riparuar gabimin e dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ne kemi marrë një vendim që përveç gjobës, e gjithë kostoja e ndërtimit do i faturohet në formën e një fature kompanisë, pasi Bashkia ta ketë kryer punën.”, tha Veliaj.

pallati

Nga ana tjetër, qytetari i parë i Tiranës, i bëri apel qytetarëve që të mos japin asnjë lekë më parë deri në momentin që nuk e kanë parë shtëpinë e tyre të përfunduar.

Kemi raste kur kompanitë bëjnë gropën, nuk u vjen financimi sepse në thelb shesin ajër se aty s’është pallati, shumë qytetarë gënjehen nga forma të tilla, çmimi u duket i ulët. Në thelb janë duke financuar një projekt që nuk ekziston, ndaj dua t’u bëj një apel qytetarëve, të mos futen në skema të tilla për sa kohë që nuk e shohin me sytë e tyre shtëpinë dhe mallin që po blejnë. Ashtu si në një treg shohim mallin e më pas e paguajmë, të mos paguajnë prenotime në ajër të pallateve që ngelen në grope. Në raste të tilla qytetarët janë pre edhe e kulturave mashtruese ku kompania zhduket dhe shpall falimentin, administratori shpallet në kërkim e largohet, as nuk e gjejmë dot as për ta arrestuar e jo më për ta detyruar të bëjë punën”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Pak dite me pare rreth 34 familje qe jetojne ne banesa prane Kopshtit Botanik, ne anen tjeter te rruges ku ishte hapur gropa per pallatin, u evakkuan per arsye sigurie pasi rreshqitja e dherave thuasje shkaterroi rrugen duke rrezikuar rrezimin ne seri te pallateve te ndertuara ne koder. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)