Sa ç’është një lajm i mirë i pritur me padurim, po aq është edhe një ditë e trishtë për drejtësinë dhe mjerimin ku e zhyti politika. Për turpin tonë, ne nuk e bënim dot të vetëm reformimin e shërimin e saj. Nuk është e lehtë të shërosh kancerin korrupsion, por, duke qenë të huajt që do drejtojnë betejën ndaj një grupi shoqëror të mbytur nga vesi, shpresa dhe besimi janë premtues.
Qëllimi i qytetarëve kur themeluan shtetin dhe shpallën regjimet republikane, nuk ka qenë të bëjë të lumtur vetëm një klasë, por ta bënte të mundshme atë për të gjithë. Kurdoherë shumica njerëzore kanë dashur jo mirëqenien e njërit po mirëqenien e të gjithëve, ndaj qytetarët kanë besuar se në një shtet të tillë zbulohet e zbatohet më mirë drejtësia. Janë zhvilluar revolucione e ndërmarrë sakrifica të mëdha njerëzore që të përmbushet kjo aspiratë e megjithatë shoqëria nuk është ndarë nga padrejtësitë. Në një shtet të mbytur nga veset, kuptohet që padrejtësia sundon dhe heshtet, siç është heshtur tërë këto kohë në Shqipërinë tonë, kur shihet se një shtresë njerëzish mbahen me hatër e privilegje të pamerituara.
Është macja për të kapur minjtë
Padrejtësia që i bëhet një njeriu duhet marrë si rrezik edhe për të tjerët. Shumica jonë janë më të rrezikuar jo se kriminelët janë të pa dënuar, por nga padrejtësia. Gjykatësit janë barinjtë e qytetit e të qytetërimit. Kështu i quajtën ata Sokrati e Platoni në veprat shoqërore e filozofike të tyre. Nga koha kur njeriu doli nga pylli dhe ngriti qytetin e parë, ju lips të vendoste për shoqërinë sundimin e ligjit: të ndalurit e qytetarëve që të përvetësojnë pasurinë e tjetrit, të mos lejohej marrja e tjetrit nëpër këmbë, të paguhej haraçi për paudhësitë, të mbrohej i dobëti për të mos pësuar në kurriz të keqen. Kjo ishte natyra e drejtësisë e që për herë të parë morën formë e u gdhendën në gurë në të parin kod legjislativ, atë të Hamurabit në Babiloni. Pas 3700 vjetësh përpunime ligjore, natyra e drejtësisë dhe fryma e përgjithshme e ligjeve është luhatur nga tendenca për të ndihmuar të fortin kundër të dobëtit në qëndrueshmërinë e brishtë të shteteve të sotme demokratike të barazisë për të gjithë. Siç ju desh njeriut, që për të mbrojtur drithin e ushqimet ndaj minjve dhe veten ndaj zvarranikëve dhe egërsirave, të zbuste e bashkëjetonte me macen e qenin, ashtu dhe shoqëria njerëzore përgatiti një klasë të përvetshme rojtarësh, gjyqtarë e prokurorë, që do luanin atë rol, ruajtjen e shtetit. Është vërtetuar në të gjitha sistemet ekonomiko-shoqërore se një shtet është i ndërtuar mirë dhe funksionon kur në organizimin e brendshëm drejtësia kujdeset të bëjë rojtarin. Janë ata që e ruajnë shtetin nga keqbërësit. Për rrjedhojë, atje ku ndeshet, është në sajë të këtij grupi shoqëror pasja e një republike të fortë, të qëndrueshme, të aftë për të siguruar mirëqenien e popullit kur jep drejtësi. Janë këta rojtarë të republikës, që ashtu si macet duhet të kapin brejtësit e zvarranikët në hapësirat e një banese familjare, këta, brenda hapësirave të shtetit duhet të kapin e ndëshkojnë çdo individ të politikës, të administratës e keqbërës tjetër që shkel ligjin.
Korruptimi dhe pasuria
Populli ynë ka vite që e ka rrënuar besimin te drejtësia, sepse i sheh dhe prek “bëmat” e tyre. Titulli i shkrimit, “Rruga që të çon te vesi është e shtruar”, është i shkëputur prej një vargu të Hesiodit (poet i lashtësisë në shek. VII para krishtit), në veprën “Punë e ditë”, i cili vinte në dukje druajtjen se, ndërsa rruga e vesit, e korruptimit, e etjes për pasuri, është e lehtë, ajo që duhet përshkuar për të mbërritur te drejtësia është e përpjetë që të djersit, e thepisur e mendueshme dhe e rrezikshme.
Shumëkush mund të mos jetë në rolin e vet dhe dëmton veten, por kur ruajtësit e ligjit dhe të shtetit, gjyqtarët dhe prokurorët, nuk janë në rolin e vet, kuptohet fare mirë se ata udhëheqin me sjelljen e tyre shkatërrimin e pandreqshëm të të gjithë shtetit, dhe s’mund të ndodhte ndryshe edhe në Shqipërinë tonë të mjerë e të vuajtur. Prandaj shteti rrit e përgatit si rojtarë, punonjësit e drejtësisë që të kapin e dënojnë keqbërësin, t’i heqin lirinë, të mos e lejojnë të cenojë lirinë e tjetrit, të jenë rojtarë të pasurisë private e publike. Kush mund t’i largojë këta rojtarë nga funksioni i tyre, përpos se korruptimi dhe pasurimi përmes mitmarrjes e shpërdorimit të detyrës? Dhe kështu ka ndodhur!
Njeriu për nga natyra dëshiron, madje lakmon. Kushdo mund të bëhet lakmitar, por nëse bëhen preh të pasioneve e lakmisë punonjësit e drejtësisë, ndodh e keqja e madhe që i ka rënë ndonjëherë në kurriz ndonjë shteti,si në republikën tonë, që veset të kalojnë nga individi te shteti. Nuk është se korrupsioni dhe lakmia për pasuri përmes plaçkitjes shfaqet vetëm te organet e drejtësisë. E njohim se si gëlon administrata nga të korruptuarit. Në çdo derë shteti e shërbimesh të shkosh të shohin nga xhepat. Shoqëria është familjarizuar me praninë e tyre dhe fenomenin, madje janë pranuar si pjesë natyrore edhe fëmijët e degjeneruar të pasanikëve që u bënë të tillë duke plaçkitur përmes posteve e detyrave shtetërore.
“Viktimat” e vesit kanë të bëjnë me edukimin që u ka dhënë shoqëria jonë, familja dhe shkolla. S’u mjaftokërka një diplomë e një master, por për funksionin e prokurorit e gjyqtarit u dashkërka edhe karakter, madje i fortë. Është e sigurtë se kur fëmijët edukohen keq, është e pamundur që kur të rriten, këta të respektojnë detyrën dhe virtytin. Kjo ndodh kur shuhen ca rregulla të edukimit që merren në fëmijëri e rini.
Edhe në qofsh gjyqtar a prokuror, do jesh viktimë e vesit, do pranosh të korruptohesh, do të vijë mirë të pranosh para, duke mos dhënë drejtësi, nëse kur ke qenë i ri, në prani të njerëzve të moshuar, ashtu siç e kërkon mirësjellja s’ua ke lëshuar vendin për t’u ulur, s’je ngritur në këmbë kur ata afrohen, s’ke nderuar babanë dhe nënën, s’të ka shqetësuar pamja e jashtme dhe paraqitja në shoqëri, je bezdisur kur dikush ju ka dhënë një këshillë të mirë, ke ndenjur indiferent ndaj varfërisë së tjetrit. Për këto gjëra s’ka ligje. Do ishte naive që për këto të nxjerrësh ligje. “E vetmja shprehi e dobishme për njerëzit-shkruante Zh.ZH. Ruso-është t’i nënshtrohen pa mundim arsyes; çdo shprehi tjetër është ves”.
Dy të këqijat, Varfëria dhe Pasuria
Të dyja lindin plogështinë, përtacinë dhe shijen për gjëra të cilat s’janë në rendin e të domosdoshmeve. Varfëria ka ndjekur shumicën që nga lindja. Të bërit zot të vetvetes shumëkënd e ka nxjerrë nga vobektësia, por jo rrallë ka pjellur krimin, është bërë burimi kryesor i saj, ka nxitur prostitucionin dhe alkoolizmin. Të pasurit (nga trashëgimia ose veprimtaria) ndodh të zgjojë te ata pjesën e keqe të shpirtit e cila i shkatërron arsyen. Të kujtohet i dashur lexues një pasanik i ri, pjellë e sistemit tonë politik të korruptuar, që në rolin e filantropit, në vend që t’i ndërtonte krahinës së tij të prapambetur një spital apo qoftë edhe një shkollë, pagoi miliona për t’i çuar në fushën pa bar një skuadër elitare futbolli të Europës?
Ndarja e shoqërisë në klasa nuk ka kriter zgjuarsinë e mençurinë por pasurinë. Kështu ka qenë e kështu do vazhdojë se i tillë është ndërtimi i sistemit ekonomik të prodhimit dhe shpërndarjes së kapitalit. E para të jep vetëpërmbajtjen dhe e dyta forcën. Se kush nga këto të dyja duhet të drejtojë shtetin dhe individin është një debat i vjetër. Hymnizonjës të drejtësisë kanë gjetur pikërisht këtë pushtet të aftë për të ruajtur ekuilibrat, kur përmbushin detyrimet që u përcakton ligji.
Ka shumë kohë që ne po merremi me drejtësinë dhe, mes të tjerash, opinioni është njohur me të dhënat e një projekti për pagat e punonjësve të sistemit. U vërejtën kundërshtime për diferencimet që vëreheshin, të cilat nuk duhen mbajtur parasysh. Nëse do të duam të kemi një shtet të fortë, kjo mund të arrihet përmes vendosjes së drejtësisë në vendin që i përket, ndaj dhe duhet t’i diferencojmë brenda arsyes në paga. Ato do jenë një mjet për t’i ruajtur nga korruptimi. Kështu kanë vepruar shumë shtete të tjera para nesh. Pavarësisht skepticizmit që ka kultivuar kjo klasë politike se gjendjen e batakut ku jemi zhytur nuk kemi forcë ta ndryshojmë, është momenti të ngremë furtunë për t’u dhënë fund padrejtësive.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
