TIRANË- Në GJKKO u mbajt seanca e radhës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 10 të pandehurve të tjerë, të cilët do të gjykohen me një treshe të re gjykuese pasi do të gjykohen me proces normal. Treshja gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e ndarë të Veliajt përbëhet nga kryesuesja Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini e Besmir Stroka.
Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e Veliajt që kamerat të qëndrojë gjatë gjithë kohës në sallë për transmetimin e gjyqit live, me argumentin se prania e tyre ndikon në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
Në seancë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komiteti Shqiptar të Helsinkit për monitorimin e procesit, pas ankimit të Veliajt se i shkelen të drejtat duke qëndruar në kafazin e qelqtë. Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Gjatë seancës u bë me dije se Erion Veliaj ka kërkuar të mbrohet nga avokati Plarent Ndreca.
Ndërkohë, as Ajola Xoxa nuk ishte e pranishme në seancë. Mungoi gjithashtu edhe avokati i saj mbrojtës Maks Haxhia, i cili ndodhet në Lubjanë, si dhe avokati tjetër Dritan Jahaj për shkak të gjendjes shëndetësore. Ajo ka paraqitur prokurë për ndryshim të përfaqësimit ligjor dhe do të mbrohet tashmë nga avokati Gurali Brahimllari dhe Maks Haxhia, duke hequr dorë nga përfaqësimi i Dritan Jahajt.
Prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, kërkesë që u pranua nga Gjykata. Sipas tij, katër të pandehur janë bërë pengesë për vijimin e gjykimit për shkak të mungesës së tyre ose të avokatëve mbrojtës.
“SPAK çmon se jemi në kushtet për shtyrje të seancës, pasi pengesa shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre. Kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn”, deklaroi Dado në sallë.
Kundër këtij qëndrimi reagoi avokati Plarent Ndreca, i cili e cilësoi kërkesën antikushtetuese dhe të pabazuar. Sipas tij, mungesa e disa të pandehurve nuk mund të cenojë lirinë e Veliajt, pasi ai ka caktuar përfaqësim ligjor dhe avokati është i pranishëm në seancë.
Ndreca ngriti gjithashtu shqetësimin se mbrojtjes nuk i janë vënë ende në dispozicion të gjitha materialet hetimore. Sipas tij, 24 fashikuj nuk i janë dorëzuar ende Veliajt në paraburgimin e Durrësit dhe po ashtu mungojnë edhe provat dixhitale.
“Gjykata e themelit, para se të ndahej çështja, ka urdhëruar që i pandehuri të njihet me të gjitha aktet. Ky vendim nuk është zbatuar. As unë dhe as i pandehuri nuk kemi akses në provat, ende nuk kemi kopje. Kjo kohë deri në seancën tjetër duhet të përdoret për të na vënë në dispozicion provat digjitale”, deklaroi Ndreca.
“Gjykata e themelit ka marrë vendim për dorëzimin fizik të akteve dhe ato janë dorëzuar, konkretisht aktet që i përkasin të pandehurit në fjalë. Aktet e tjera janë pjesë e procedimit, por nuk lidhen drejtpërdrejt me të pandehurin. Sa i takon provave dixhitale, pikërisht për këtë arsye jemi në gjykim të zakonshëm, pasi ato do të hapen dhe do të shqyrtohen gjatë procesit", tha Dado.
Seanca u shty për në datën 10, në orën 11:30. Seancat e ardhshme do të zhvillohen çdo të martë, në orën 10:00.
Lajmi në përditësim...
Komente










