Aksi që lidh Tepelenën me Vlorën hapet në shtator, Rama iu paraprin kritikëve: Rruga e ngushtë? Kështu janë në të gjithë Europën

TEPELENË- Në shtator do të hapet rruga Dukaj-Sinanaj, që lidh bashkinë e Tepelenës me bashkinë e Vlorës. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, teksa ishte duke inspektuar punimet së bashku me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi. Kjo rrugë do të jetë e gjatë 14.5 km dhe e gjerë 4.5 metra. Kreu i qeverisë i ka paraprirë kritikave sa i përket gjerësisë së kësaj rruge.

"Ata që na ndjekin bien pre e idesë që rrugët turistike janë të ngushta, duhet të jenë më të gjëra, rrugët turistike nuk duhen të gjejmë më të gjëra, kanë parametrat e tyre në të gjithë Europën, pasi nuk kanë prezencë të trafikut, dhe mundësojnë lëvizjen e nevojshme në akset turistike, tani të gjitha asket e kthejnë Tepelenën nga një xhep fals në një pikë distribucioni të lëvizjes për turistët që vijnë qoftë nga juglindja, qoftë ato që vijnë nga perëndimi përmes Tiranës apo jugut përmes Sarandës dhe e gjitha bëhet një pamje fantastike turistike që dhe njerëzit që e njihnin e kishin braktisur gjithnjë e më shumë" , tha Rama.

Ministrja e Infrastrukturës, tha se kjo rrugë do të ketë xhepa në 250 metra të saj me qëllim që të bëhen shkëmbime të makinës, por jo parakalime.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
Rama në një bujtinë në Libohovë, batuta me nusen e familjes: Me vjehrrën mirë shkoni?

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Libohovë, ku zhvilloi një vizitë në një bujtinë, e para e hapur për turistët në zonë. Gjatë bashkëbisedimit me pronarët e bujtinës, Rama nuk la as batutat.  

“Me vjehrrën mirë shkoni?”, e pyeti Rama nusen e shtëpisë, teksa ajo iu përgjigj: “Super, më mirë se mund ta mendoni”.

Ora 16:00
Rama në tunelin e Skërficës: Do shkurtojë me 3 orë rrugën Tiranë-Sarandë! Balluku: I aksesueshëm para sezonit turistik të ardhshëm (FOTOGALERI)

Kryeministri Edi Rama ka ndaluar të inspektojë punimet edhe në tunelin e Skarficës. I shoqëruar edhe nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kryeministri bëri me dije se tuneli do të shkurtojë rrugën Tiranë-Sarandë me 3 orë. Më tej ai theksoi se ky investim do ndikojë pozitivisht në ekonominë e zonës pasi do të thith investime të mëdha në agroturizëm, blegtori e bujqësi.

"E rëndësishme është që tani jemi në fazën e fundit të mbylljes së gjithë rrjetit të projekteve për Gjriokastër, Tepelenë, Përmet, Ersekë e Korçë. Sezoni i ardhshëm do jetë një platformë komplet tjetër turistike dhe padiskutim e nga pikëpamja ekonomike gjithë kjo ndërhyje masive do të sjellë investime në agroturizëm, blegtori e bujqësi dhe krijon një perspektivë të sigurt të gjithë zonës pa llogarit që qytetet vazhdojnë të rilindin dhe të bëhen të aksesueshëm gjithmonë e më shumë. Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë rrugën nga Tirana në Sarandë", tha Rama.

Ndër të tjera ministrja Balluku është optimiste se tuneli do të jetë i aksesueshëm për të gjithë drejtuesit e mjeteve sezonin e ardhshëm turistik. Balluku theksoi se tuneli është i gjatë 1346 metra i gjatë dhe se punimet kanë ecur me ritme të larta e për rrjedhojë javës tjetër përfundon hapja e 35 metrave të fundit.  

"Ndodhemi në tunelin e Skerficës, kemi qenë këtu në 10 gushtin e kaluar në ditën kur nisën punimet në kantier. Sot jemi në 50% të punës, për shkak edhe të gjeologjisë së mirë që kemi hasur por edhe të gjithë angazhimit, punimet kanë ecur shumë mirë. Përfundimi i kontratës është 7 gushti i viti 2022, pra për 12 muaj, por unë besoj se loti i 7 i rrugës Kardhiq-Delvinë, do jetë i aksesueshëm nga gjithë drejtuesit  e automjeteve. Duhet thënë që gjithë vepra ka 8 lote, loti i 1, 2, 3 kanë përfunduar ndërsa loti i 4 është ai që sapo përshkruam, i 5 dhe i 6 janë diku tek 75-83% i punimeve të përfunduara, loti i 7 është ky që po vizitojmë sot, ndërsa loti i 8 është përforcimi i skarpateve, të gjitha pjesët e sigurisë rrugore. Shpresojmë që vitin tjetër në hapje të sezonit ne ta dorëzojmë për akses të të gjithë drejtuesve të automjeteve. Tuneli është i gjatë 1316 metra, punimet kanë përparuar, jemi në 35 metrat e fundit, nga hyrja veriore është ecur më shumë rreth 800 metra dhe ndërkohë kemi 35 metrat e fundit që parashikojmë t'i mbyllim javën e ardhshme", tha Balluku.

Ora 14:50
Rama publikon videon si po transformohet kalaja e Ali Pashë Tepelenës: Mbresëlënëse

Me qëllimin për tu kthyer në një qendër turistike dhe për të mbledhur mijëra turistë në këtë zonë Kalaja e Ali Pashë Tepelenës po i nënshtrohet një rikonstruktimi. Kryeministri Edi Rama ka ndaluar edhe në kala nga ku na treguar ndryshimet që po pëson falë investimeve që janë ndërmarrë. Për Ramën, ky ndryshim është mbresëlënës duke theksuar se po kthehet në një atraksion turistik dhe në burim fitimi jo vetëm për individët e zonës, por edhe për ekonominë e vendit.

"Mbresëlënës ndryshimi i kalasë së Ali Pashë Tepelenës, një perlë e Trashëgimisë Sonë Kulturore, që po del në dritë e po kthehet në atraksion turistik, në burim fitimi për individët, komunitetet e për ekonominë kombëtare", shkruan Rama.

Ora 14:29
Rama inspekton përfundimin e rrugës Salari-Nivicë: Duhet promovuar turizmi që të shijojmë pamje të jashtëzakonshme

Pas inspektimit të rrugës që lidh Tepelenën me Vlorën, kryeministri Edi Rama ka bërë një ndalesë në aksin rrugor Salari-Nivicë, në të cilin kanë përfunduar të gjitha punimet. Gjatë inspektimit me kreun e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçin, kryeministri u shpreh se tashmë me këtë rrugë duhet promovuar turizimi pasi këto pamje të mrekullueshme do të mahnisin të gjithë udhëtarët. Madje, ata do të kenë edhe një arsye më shumë për t'u kthyer përsëri sepse aksi Salari-Nivicë së bashku me akset Bënçë-Lekdush, Gusmar-Kuç si dhe me Lotin 3 të rrugës së Lumit të Vlorës do të përfundojnë pranverën e ardhme dhe do të lidhin perlat e Shqipërisë që akoma nuk janë zbuluar.

"Tani duhet promovuar turizmi se kush vjen e sheh mahnitet dhe vjen prapë. Duhet promovuar që njerëzit të vijnë ta përdorin këtë rrugë dhe të vijnë të shijojnë një gjë të jashtëzakonshme", tha Rama.

Ndërsa, kreybashkiaku Tërmet Peçi u shpreh se çdo fundjavë kjo zonë vizitohet nga 500 deri në 600 turistë të cilët vijnë dhe shijojnë këto pamje mbreslënëse.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë