TIRANË- Konferenca e Kryetarëve është mbledhur këtë të hënë, para nisjes së seanës plenare. Në mbledhjen e sotme, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm që do të zgjedhë 12 anëtarët e rinj të KQZ-së.
Në letrën që Report Tv disponon, Ruçi u kërkon grupeve parlamentare që të propozojnë anëtarët e KQZ-së së re, duke iu lënë afat deri në 9 shtator.
"I nderuar zoti Kryetar, Bazuar nënenin 17 pika 3 të ligjit nr.101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”, Kuvendi ka detyrimin për të ngritur komision tëposaҫëm parlamentar, me përfaqësim propocional nga cdo grup parlamentar, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kanditaturave të paraqitura për vendin e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it. Ju bëj me dije se propozimin tuaj për anëtar në komisionin e posaҫëm duhet ta paraqitni pranë Kuvendit brenda datës 09.09.2020", shkruhet në letër.
Letra e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi
Letra i ka shkuar edhe opozitës jashtëparlamentare që ka humbur përfaqësimin e saj në parlament, e cila sipas ndryshimeve të bëra në kodin zgjedhor do të ketë përfaqësuesin e saj në këtë Komision të Posaçëm për ngritjen e KQZ-së së re. Letra që mban datën 4 shtator i ka shkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, të cilët do të kenë të drejtën e një përfaqësuesi në Komisionin e Posaçëm parlamentar që do të zgjedh anëtarët e KQZ-së së re. Opozita jashtëparlamentare duhet të paraqesë propozimin e saj deri më 11 shtator, ndërsa sipas burimeve PD dhe LSI pritet të vendos këto dy ditë për emrin e përfaqësuesit që do të çojë në Komisionin e Posaçëm.
Përfaqësuesi i opozitës jashtëparlamentare do të marrë pjesë në procedurën e shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturabe për organet drejtuese të KQZ-së.
Letra që Ruçi i ka dërguar Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit
Ruçi u ka dërguar letër edhe 3 kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, Myslim Murrizit, Nimet Musait dhe Edmond Stojku, për propozimin e 2 anëtarëve, të cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për ngritjen e KQZ-së së re. Atyre u është lënë afat deri më 10 shtator që të paraqesin propozimet e tyre për 2 emrat e anëtarëve që do përfaqësojnë opozitën parlamentare në Komisionin e Posaçëm.
Letra e Ruçit për Myslim Murrizin Nimet Musain dhe Edmond Stojkun
Në mbledhjen e sotme Konferenca e Kryetarëve vendosi që seancat parlamentare do të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve duke respektuar masat anti-covid, ndërsa është zgjatur orari i qëndrimit të tyre në sallën e Kuvendit ku nga 2 orë, seancat do të zhvillohen 4 orë. Gjithashtu në takimin online të Konferencës së Kryetareve u vendos që mbledhjet e këtij komisioni do të vijojnë të zhvillohen online në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.
Konferenca e Kryetarëve miratoi gjatë mbledhjes së sotme programin e punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator-16 tetor dhe kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 7-25 shtator. Seanca e radhës do të mbahet më 17 shtator, ku pritet të ngrihet edhe komisioni i posaçëm parlamentar për ngritjen e KQZ-së së re.
Në fund të gushtit Kuvendi i Shqipërisë shpalli garën për vendet e lira për KQZ e re dhe i la afat përfundimtar 18 shtatorin aplikantëve që duan të jenë pjesë e Komisionit të Zgjedhjeve të riformatuar me dakordësinë e palëve në marrëveshjen e 5 Qershorit, ndërkohë që 19 tetori duhet ta gjejë KQZ me anëtarë të rinj.