Ruçi në Gjenevë:Të angazhuar për
zbatimin e Reformës në Drejtësi

Ruçi në Gjenevë:Të angazhuar për<br />zbatimin e Reformës në Drejtësi<br>
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, merr pjesë në forumin Rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm që u organizua në Gjenevë. Në këtë takim, Ruçi shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ruçi mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ku nënvizoi se Shqipëria vlerëson nismat e Kombeve të Bashkuara që do të ndihmojnë shoqërinë shqiptare, në mënyrë të veçantë politkëbërsit shqiptarë për të vendosur axhendën e punës, mandatin politik ose axhendën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Europian, në kontestin global të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryetari i Kuvendit në fjalën e tij u ndal edhe tek reformat e miratuara, ku u shpreh se Shqipëria dhe Parlamenti janë të angazhuar plotësisht në zbatimin e reformës në drejtësi, për rritjen e transparencës, përgjegjshmërinë, pavarësinë dhe rritjen e aksesit të publikut te drejtësia.

Lidhur me arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm, Ruçi u shpreh se në muajin dhjetor, Parlamenti miratoi me unanimitet Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si znj. Cihan Sultanoglu, Kryetare e UNDG, asistent administrator dhe drejtore e Byrosë Rajonale për Evropën dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarura; znj. Kate Gilmore, zëvendëskomisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut; znj. Afshan Khan, Drejtoreshë rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore, UNICEF.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi:
I nderuar Ambasador Gerber,
Të nderuar të ftuar, përfaqësues të mbledhur në këtë Forum,
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë kam kënaqësinë të marr pjesë në këtë Forum. Programi për zhvillim të qëndrueshëm ose Axhenda 2030 dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të lidhura me të, është një program i rëndësishëm për të gjithë, përfshirë edhe për Shqipërinë.

Jeta e milionave njerëzve në botë është përmirësuar falë punës së përbashkët për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të vendosura për periudhën 2000-2015. Arritjet për uljen e varfërisë, kontrollin e sëmundjeve, rritjen e jetëgjatësisë, aksesi në shkollim, infrastrukturë etj. janë të shumta dhe inkurajuese, por jo të mjaftueshme. Axhenda 2030 është një pikënisje e cila inkurajon të gjitha vendet, të zhvilluara ose jo, përfshirë edhe Shqipërinë që të punojnë për të përmbushur 17 Objektiva globale, për të nxitur mirëqenie dhe begati për të gjithë, pa dallim, në 15 vitet në vijim.

Motoja e kësaj axhende “Mos lër askënd pas” tingëllon realiste në kontekstin shqiptar dhe në vazhdën e përpjekjeve dhe të reformave të vendit për ta përmbushur atë. Me miratimin e Axhendës 2030, Qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me agjensitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, filloi menjëherë puna për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 dhe Axhendën e Integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë integruar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 dhe në Programin Kombëtar të Statistikave 2016-2020. Qeveria po harton Raportin Bazë që analizon situatën aktuale në vend kundrejt secilit Objektiv si dhe Planin Kombëtar të Veprimit që përshkruan hapat që do të ndërmerren nga institucionet shtetërore për të përmbushur objektivat.

Është ngritur Komiteti Ndërministror dhe Grupi Ndër Institucional i Punës për arritjen e Objektivave të cilat synojnë sigurimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm duke përfshirë drejtimin e politikave, planifikimin, zbatimin, financimin dhe raportimin në dialog të ngushtë me partnerë të tillë si: institucionet e pavarura, partnerët e zhvillimit, sektorin privat, shoqërinë civile, akademikë dhe shoqërinë civile.

Kam kënaqësinë të bëj me dije se në Korrik 2018, Shqipëria do të raportojë vullntarisht në Forumin Politik të Nivelit të Lartë, në Nju Jork. Raporti po hartohet bazuar në një proces të gjatë konsultimi me aktorë të ndryshëm, në nivel qëndror dhe vendor, të fokusuar në vendosjen e disa prioriteteve në nivel kombëtar dhe në përshtatjen e përgjithshme të Axhendës 2030 për Shqipërinë. Më vjen mirë, që gjatë punimeve të Forumit Politik, Shqipëria do të organizojë një aktivitet paralel mbi kontributin e vendeve të rajonit tonë për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ne vlerësojmë nismat e Kombeve të Bashkuara, pasi ato do të ndihmojnë shoqërinë shqiptare, në mënyrë të veçantë politkëbërsit shqiptarë për të vendosur axhendën e punës, mandatin politik ose axhendën tonë të përbashkët të integrimit në Bashkimin Europian, në kontestin global të zhvillimit të qëndrueshëm. Të nderuar pjesëmarrës, Duke vlerësuar rëndësinë e Axhendës 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me të gjithë kolegët e mi deputetë - përfaqësues të partive politike, maxhorancë dhe opozitë - përqafuam që në hapat e para arritjen e kësaj axhende në vend.

Parlamenti shqiptar i ka kushtuar vëmendje të veçantë Objektivit 16 i cili angazhon shtetet anëtare të promovojnë qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe paqësore duke siguruar që parlamentet të jenë institucione përfaqësuese, pjesëmarrëse, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme. Shqipëria dhe Parlamenti, në veçanti ka qenë i angazhuar plotësisht në zbatimin e një reforme të thellë dhe të rëndësishme: konkretisht në reformën në drejtësi, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë, pavarësinë dhe rritjen e aksesit të publikut te drejtësia.

Nëse mbajmë parasysh që Shqipëria ka qenë vend pilot për Objektivin 16, angazhimet në këtë reformë, krijojnë kushtet për arritjen gjithnjë e më të shpejtë të këtij objektivi. Gjithashtu, reformat e ndërmarra nga Parlamenti dhe Qeveria shqiptare si: reforma e administratës publike, në shëndetësi, miratimi i ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare ne RSH etj., synojnë të na sjellin gjithnjë e më afër integrimit në BE, si dhe plotësojnë në të njëjtën kohë angazhimet që burojnë nga Axhenda 2030, dy axhenda që janë plotësuese dhe në sinkron me njëra- tjetrën.

Për të rritur rolin e Parlamentit në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Parlamenti miratoi në muajin dhjetor të vitit të kaluar, me unanimitet, Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm. Me këtë akt, ligjvënësit e Shqipërisë angazhohen për të promovuar, zbatuar dhe monitoruar Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përmes hartimit të ligjeve, buxhetit, si dhe funksioneve të mbikëqyrjes dhe përfaqësimit. Parlamenti ka marrë një angazhim të plotë për zbatimin e kësaj Rezolute.

Për këtë është krijuar një Grup pune nën drejtimin e Zv. Kryetares së Parlamentit me pika fokale për ndjekjen e zbatimit të objektivave në çdo komision parlamentar dhe për të integruar këto objektiva në punën e çdo komisioni. Parlamenti i Shqipërisë ka hartuar një Plan Veprimi për Objektivat-të (2018), i cili ka filluar të vihet në zbatim. Elemente kyçe të këtij plan përfshijnë: Rishikimin e kuadrit ligjor, për të parë ku është e nevojshme përshtatje më të plotë me angazhimet në kuadrin e Axhendes 2030, veçanërisht miratimin ose ndryshimin e ligjeve për të promovuar barazinë gjinore, përfshirjen sociale dhe mbrojtjen e mjedisit;

Forcimin e kapaciteteve të komisioneve parlamentare për të siguruar një mbikqyrje efektive të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Sigurimin dhe monitorimin e angazhimit buxhetor nga ana e qeverisë në mënyrë që të kontribojë sa më efektivisht në arritjen e Objektivave te Zhvillimit të Qëndrushem. Parlamenti synon të angazhohet në një bashkëpunim të ngushtë me strukturat qeveritare, autoritetet e pavarura dhe shoqërinë civile për të mbështetur zbatimin gjithëpërfshirës, transparent dhe të përgjegjshëm të Axhendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Një nga sfidat është përcaktimi i prioriteteve dhe treguesve të matjes së rezultateve të tyre, kordinimi mes veprimtarisë së Qeverisë dhe Kuvendit. Është kjo arsyeja që përfaqësues të Kuvendit marrin pjesë në takimet e Komitetit Ndërministerial.

Gjithashtu, mekanizmi i monitorimit sistematik të zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavaruara kushtetuese dhe të krijuara me ligj, i ngritur në vitin 2017, ku Qeveria përfaqësohet nga Zëvendëskryeministri, mund të shërbejë për të nxitur arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Në kuadër të angazhimit të zbatimit të Objektivit 5 -Barazia Gjinore, objektivit 4- Edukimi, nën kujdesin tim si kryetar Kuvendi janë ringritur 2 grupe parlamentare: Aleanca e Grave Parlamentare dhe Grupi i i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.

Falë mbështetjes së agjencive të Kombeve të Bashkuara si UNICEF, UNDP (Ju en di pi) dhe UN Ëomen (Juen uimin), këto grupe mundësojnë angazhim më vital nga ana e Parlamentit për sa i përket çështjeve të barazisë gjinore dhe fëmijëve. Kuvendi ka ngritur 4 nënkomisione parlamentare, që janë të fokusuar në objektiva konkrete si: barazia gjinore dhe parandalimi i dhunës ndaj grave; të drejtat e njeriut; çështjet që lidhen me qeverisjen vendore, çështjet që lidhen me administratën publike

Ne jemi të vetëdijshëm, që arritja e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm kërkon krijimin e një partneriteti mes Parlamentit, ekspertëve të pavaruar, akademike dhe institucioneve qeveritare, shoqërisë civile, si dhe biznesit dhe monitorimin sistematik të masave të marra. Kuvendi ka miratuar një rezolutë për bashkëpunimin me shoqërinë civile. Parlamaneti është një model i mirë i bashkëpunimit. Kjo përvojë duhet të përdoret edhe në lidhje me arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Natyrisht, ne kemi nevojë për një partneritet të konsoliduar kombëtar dhe global; ne kemi nevojë për këshillat, nismat e organizatave si Kombet e Bashkuara për të vendosur gjithnjë e më tepër në kontekst dhe për t’i bërë objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm pjesë të axhendës sonë dhe të strategjisë kombëtare për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe për integrim në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, ky takim rajonal shërben që të shkëmbejmë eksperienca, si dhe të forcojmë partneritetin në përpjekje të përbashkëta dhe të konsoliduara, gjithëpërfshirëse, që i gjithë rajoni të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030. Edhe një herë, dëshiroj T’ju falënderoj për vëmendjen!

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit