Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Parlamentit të Finlandës, Anu Helena Vehviläinen, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe në emrin tim personal Ju dërgoj urimet më të ngrohta me rastin e Festës Kombëtare, 103-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Finlandës. Shpallja e pavarësisë së Finlandës prej Senatit më 4 dhjetor si edhe Deklarata e Pavarësisë që e pasoi, e miratuar nga Parlamenti më 6 dhjetor 1917, ishtë një ngjarje historike për Finlandën dhe hapën rrugën për zhvillimin e modernizimin e Finlandës dhe rritjen e mirqënies së popullit finlandez", shkruan Ruçi.
Teksa thekson se Finlanda është sot një anëtare aktive e Bashkimit Europian, partnere e rëndësishme e NATO-s dhe mike e Shqipërisë, ai shton se marrëdhëniet dypalëshe janë të mira dhe ato vijnë duke u forcuar.
"Finlanda është është sot një anëtare aktive e Bashkimit Europian, partnere e rëndësishme e NATO-s dhe mike e Shqipërisë. Marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira dhe ato vijnë duke u forcuar. Ne vlerësojmë kontributin e spikatur të Finlandës në mbështetje të paqes, sigurisë e stabilitetit në botën e sotme të trazuar. Shqipëria i është mirënjohëse Finlandës për mbështetjen e vazhdueshme të procesit integrues-anëtarësues në Bashkimin Evropian, duke nisur me mbështetjen për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për vendimin për çeljen e negociatave.
Vendimi i Këshilli i Bashkimit Europian i 25 marsit 2020 është rezultat edhe i kontributit të Parlamentit dhe Qeverisë së Finlandës, kontribut që populli shqiptar nuk do ta harrojë. Ne ndjekim me vëmendje përpjekjet e suksesshme të popullit dhe të institucioneve të Finlandës për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19, përpiqemi të përfitojmë nga kjo përvojë dhe urojmë që popujt tanë dhe gjithë njerëzimi të dalin sa më shpejt dhe sa më lehtë prej saj”, shkruan Ruçi.