Nga arratisja prej komunizmit, te mentaliteti dhe vështirësitë e tij si refugjat!
Forca për të mos e braktisur kurrë zakonin dhe peshën e lojës edhe në ferr! Sekrete të suksesit personal dhe qëllimi për të shkuar sa më lartë me futbollin!
Sonte në Report Tv, ora 21:00, ishte përballë gazetarëve Ernest Koçi dhe Eljan Tanini, legjenda e Futbollit Shqiptar Rudi Vata, ish-futbollisti që e mposhti diktaturën me vullnet! Emisioni ‘Esencë’ shfaqet çdo të premte dhe të diel, në ekranin e Report Tv.
Eljan Tanini: Ai vetë, dora dhe këmba e tij janë sot në studio nga Shkodra e Madhe. Mirëmbrëma Rudi Vata dhe Ernest Koçi. Rudi, nisim si fillim me abc-të e tua të para?
Rudi Vata: Duhet falenderu Zoti që na ka dhuru Shkodrën, se me Shkodrën identifikohet Historia e Shqipërisë. Unë në Shkodër kam bëre abc-të e mia. Për pasionin e futbollit, u shkëputa nga shtëpia në moshën 14 vjeçare, ishte hap me rëndësi në jetën time. U mësova me talentin e punës, është talent të jesh punëtor. Aurel Verria ishte baba im i dytë, më ka dhënë energji të mirë që të bëhesha futbollist, gjithashtu këshilla të mira. Ëndrra ime ishte që një ditë të bëhesha lojtar i Ekipit Kombëtar Shqiptar. Kam punuar për këtë qëllim çdo ditë. Nëse shokët e mi zgjoheshin në orën 7:00 të mëngjesit, unë në orën gjashtë pa dhjetë isha te fusha e qymyrit. Në moshën 16 vjeçare kam luajtur me 18-vjeçarët në Pleven të Bullgarisë në kampionat.
Eljan Tanini: -A është e rëndësishme të çohesh herët në mëngjes për të qenë i suksesshëm?
Rudi Vata: Kur punon shumë, arrin me u forcu shumë fizikisht. Këmbët e forta dhe mushkëritë e mëdhaja janë me rëndësi në futboll.
Ernest Koçi: Këto fakte kanë ndodhur 30 e ca vite më parë, këto ushtrime nuk njihen fare sot!
Rudi Vata: Unë e kisha shumë të lehtë të luaja futboll, në Shqipëri talentët më të rëndësishëm ishin dembelë. Besimi nuk vjen përmes qokave, çdo gjë vjen përmes punës. Në ato vite pas futbollit nuk kishte profesion, babai nuk donte të merresha me këtë profesion. Në Mars të vitit 1991 kishim ndeshje në Francë, atje ku më asht kriju mundësia me kërku azil politik, isha 22 vjeç. Bashkë me Ardian Sukajn, u larguam nga hoteli dhe shkuam në Nantë. Pas 48 orëve që ke luajtuar kundër Papin, Cantona, Deschamps etj, zgjohesh në një kamp refugjatësh dhe pyet veten tënde: Si ka mundësi që e mora unë këtë vendim?! Në këtë zanat ti je i detyruar të ruash gjendjen e fitnesit, gjendja fizike nuk ruhet duke qendru në kamp. Qëllimi kryesor ishte të ruaja gjendjen fizike, nuk kishte natë që unë nuk çohesha në orën 4-5 të mëngjesit. A erdha në Francë të bëhesha gangster, apo futbollist profesionist? E para ishte shumë e thjeshtë. Anash në autostradë aty ku kalonte kamioni bëja vrap deri në mbi 15 km, deri sa të lodhesha. Kjo dhe veprime të tjera kishin rëndësi që kur të isha në arenë të isha i gatshëm fizikisht, mos të dorëzohesha. Në kamp qëndrova 6-7 javë. Josif Gjergji si shoku im i Dinamos do të shkonte atë natë në nje qytet tjetër, ndërkohë unë do të shkoja të nesërmen. Nuk udhëtova me makinën e tyre. Atë natë shoferin e zuri gjumi në timon! Të gjithë përfunduan në spital, nga kjo kohë mu dha mundësia me u provu me një skuadër atje prej një aksidenti. Duhet të kalonin letrat nga Dinamo në Francë, nga fundi i stërvitjes thyej këmbën.
Ernest Koçi: Sa pak duhet të jesh pjesë e një rezultati të mirë në jetë, rastësia…
Rudi Vata: -Çdo gjë është e lidhur me fatin, fati është i lidhur me guximtarët.
Ernest Koçi: -Daja im është tifoz shumë i madh i futbollit. Daja një ditë zgjedh të shohë një ndeshje të Dinamos, ai nuk shkon atë ditë në fshat. Dinamo i shpëtoi jetën pasi furgoni ra me ata që do të ktheheshin në fshat, ra rrugës dhe disa nga ata nuk jetuan më. Dinamo i shpëtoi jetën.
Rudi Vata: -Ambicia ime ishte të arrija diçka edhe më shumë në jetë. Kur arrita në Skoci, m’u sugjerua të blej një shtëpi për 25 vjet. Në vitin 1992 kam blerë një shtëpi për herë të parë. Atje nuk të pranonte kush me sjelljen që vije nga Shqipëria, mua kjo më interesonte. Shokët e mi qeshnin me çorapet e mia të bardha, klubi më vuri kusht që ditën e ndeshjes duhet të vish me kostum, kur ndërkohë kostumi ishte fobi në Shqipëri, dukeshe si spiunët. Kur vajta në Qipro mora një paradhënie që ishte shumë e mirë për mua, me atë shumë shtëpia u bë e imja, ndërkohë ishte interesi bankar shumë i lartë. Vëllai im ishte nisur për në Itali me peshkarexhë, ndërkohë prindërit nuk donin që unë të shkoja në Francë, pasi me peshkarexhë vëllai tashmë ishte i humbur, nuk ishte bërë i gjallë ende pasi ishte nisur nga Lezha. Edhe prindërit e mi janë edukuar përmes zhvillimit tim. Prindërit e mi erdhën në Paris në Janar të vitit 1992, baba ka punu në bankë dhe e dinte shumë mirë se çfarë ishte kredia. Pasuria më e madhe e një prindi është kur ke fëmijë të edukuar shumë mirë. Prindërit, baba im ka ardhur te unë jashtë shtetit atje ku unë kam arritur progreset e mia. Skocezët për mua janë një popull shumë i ngrohtë
Ernest Koçi: -Skocezët e kujtojnë shumë Rudin, ngjashmëria është se edhe ne e kujtojmë shuuumë Rudin!
Eljan Tanini: -Njohja me Ramën dhe Metën?
Rudi Vata: Me Edi Ramën dhe Ilir Metën jemi njohur në Klubin e Sportit Dinamo, më pas secili nga ne mori drejtimin e tij e më pas u ribashkuam në kushte të tjera.
George Robertson është politikani i parë dhe i vetëm që unë kam njohur, Ministër i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe. Fans i madh i Celtic dhe i imi. Kur ndodhi Kosova ai erdhi në Shqipëri për të takuar Ilir Metën, përveç se kam një obligim njoh edhe Rudi Vatën tha ai.
Ernest Koçi: -Nuk e di nëse Ilir Meta apo Edi Rama i ka kërkuar ndonjë nder?
Rudi Vata: Kur Rama kandidonte për Tiranën, Meta dhe Rama më kërkojnë të bëj një reklamë për Ramën me frazën: Edi Rama do të jetë kapiteni i madh i Tiranës! Në atë kohë unë nuk e dija se çfarë bëhej me politikën në Tiranë, ndërkohë në Shkodër plasi lajmi qe u bëmë me komunistat. Unë jam bërë pronar i vetes sime përmes punës dhe sakrificave, tani e kontrolloj Rudin 100 përqind. Paulin Stërkaj është shoku im, i fëmijërisë, i klubit sportiv.
Eljan Tanini: -Ftesat për djalin nga klubet e tjera?
Rudi Vata: Roko im bir, ka pasur ftesë nga federata andej, ndërsa nga Shqipëria asnjë ftesë zyrtare. Ftesa për tim bir duhet të vijë në formën më të pastër zyrtare, në Shqipëri ende shumë njerëz nuk janë të lirë, as Bushi nuk e ka këtë forcë. Roko im bir ka lindur Skoci, përfaqëson Irlandën, me bab shqiptar, ka le në Skoci dhe përfaqëson Irlandën. Unë jam shumë krenar për këtë fakt, kombëtarja e tyre e ka rritur tim bir. Irlandezët janë komb fisnik, rëndësi ka ku e fiton ai bukën e gojës.
Ernest Koçi: -Ai ka dhënë maksimumin për Celtic, jemi ne që kemi nevojë për aftësitë e tij.
Rudi Vata: Shqipëria ka nevojë për djem të rinj që sakrifikojnë për fanellën.
Eljan Tanini: -Si ke mësuar italisht?
Rudi Vata: Unë kam mësuar italisht me një prift, ai kishte kaluar 20 vite në burg, quhej Ndrek Kakariqi, kishte studiuar në Romë. Axha Nrek thoshte sa hynte te dera: La gallina camina! Që në atë moshë prindërit menduan me na dhënë një jetë tjetër. Italishtja më vlejti përballë Lyam Brady. Italisht kam mësuar në fund të vitit 1978-1979, kishim një dhomë nëntokë. Gjyshja jeme na e gjeti Axhën Nrek, ai shkonte te ajo pas pune për kafe. 50 lekë ora ishte mësimi i italishtes, 100 lekë për familjen time, unë dhe vëllai, ishte investim që vlente shumë për familjen tonë. Baba punonte në bankë, nëna laborante.
Ernest Koçi: Kapiteni sot nuk është diçka e ngurtësuar. Kur do e gjejmë Rudin kapiten?
Rudi Vata: Unë mendoj që jemi një popull që nuk punojmë të rrisim lidera, neve si komb na ka munguar lidershipi. Edhe ne Skoci punojnë nga supet e poshtë, edhe atje nuk e kuptojnë se çdo gjë fillon me një motivim nga truri.
Ernest Koçi: A do të doje që këtë karrierë ta kishe pas sot, ta zhvilloje në ditët tona?
Rudi Vata: Zotit çdo që i kam kërku, kurrë nuk ma ka dhënë, më ka dhënë atë që kam pas nevojë, nga ku duhet të vazhdosh më tej. Kam qenë fëmijë i lumtur edhe sepse nuk kishim asgjë. Nuk ka shance që të bëhesh futbollist kur mendon për anën materiale. Ne vinim të luanim në Shqipëri me shpenzimet tona, na tërhiqte vendi jonë, pavarësisht se edhe mund të humbnim. Altin Rrakli ka ardhur me paratë e tij, ka paguar hotelet, avionët etj njësoj si unë… Vitet 1992-2000, Federata Shqiptare ishte shumë e varfër. Kemi luajtur një ndeshje në Danimarkë pa fanella, sponsori i Danimarkës na i dha ato një orë para ndeshjes, ishin ngjyrë blu. Këto janë sakrifica që njerëzit nuk i njohin.
Une jam rritur ose me mire kam qene me Rudin bashke tek Mjeshteria Sportive. Gjithmone djale puntor, i sakrifices dhe talent i madh. Rudi do te ishte mbrojtes ideal i Ajax ne vitet 92/99. I uroj Rudit gjithe te mirat e botes dhe shendet e mbaresi kudo. Me respect Arbeni
Përgjigju