BUKURESHT - Qentë endacakë janë bërë një aleat i policisë rumune me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve, që përfshijnë këmbësorët. Të filmuar duke kaluar me zgjuarsi vijat e bardha, ata japin një shembull të rëndësishëm në një spot publicitar.

"Në qoftë se ata mund ta bëjnë këtë, atëherë të gjithë këmbësorët mund ta bëjnë gjithashtu. Kaloni në vijat e bardha!", theksonte ky spot i transmetuar nga mediat vendase.

Të gjitha skenat janë reale dhe janë filmuar në Bukuresht dhe në qytetet e tjera të Rumanisë.
"Ky është një mesazh i jashtëzakonshëm, ne shohim se kafshët janë në gjendje që të respektojnë me kujdes rregulla shumë të rëndësishme", deklaroi shefi i policisë rumune, Lucian Dinita.
Mesazhi është i qartë, në Rumani 360 këmbësorë kanë vdekur gjatë vitit 2012 dhe 1 273 janë plagosur për shkak të pakujdesisë.

"U befasova shumë kur vura re sesa këmbësorë kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore", deklaroi Semida Duriga, drejtoreshë e agjencisë "Next Advertising".

"Pastaj mendova për skenat, që secili prej nesh sheh në Bukuresht me qentë endacakë të cilët kalojnë vijat e bardha, që rrespektojnë rregullat", theksoi ajo.

(atsh/ad/ti/shqiptarja.com)