Drejtuesi i fushatës së PD, Alfred Rushaj ka zbuluar se PD ka ngritur struktura që kanë për qëllim mbrojtjen e votuesve.

Duke përmendur incidentin e regjistruar në Elbasan, numri dy i demokratëve theksoi se po përgatiten për më të keqen.

‘Janë ngritur struktura të mbrojtjes së votës në çdo zonë që mundohen të ndjekin dhe evidentojnë çdo lloj parregullsie dhe të Kodit Zgjedhor. Struktura po përgatitet edhe për mbrojtjen fizike të votuesve, të komisionerëve. Janë njerëz të gatshëm për të bërë detyrën e tyre për të mbrojtur çdo njëri që nuk mbrohet nga policia. Mendojmë se do të jetë një ditë e qetë, por po përgatitemi për më të keqen, ku do të jemi në mbrojtje të çdokujt që ka nevojë për mbrojtje.’- tha Rushaj në Vizion Plus.

Kur jemi vetëm pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit, disa incidente janë shënuar midis palëve politike në vend.