MOSKË, 28 shtator /ATSH-AFP/ - Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit kanë nevoj sërish të ripërtërihen, deklaroi ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, duke bërë SHBA-në përgjegjëse për përkeqësimin e tyre.
Në një intervistë për televizionin rus "Channel 5", që u shfaq sot, Lavrov deklaroi se "ajo që duhet tani është që amerikanët të bëjnë një 'reset', duke bër krahasim me funksionet e një kompiuteri".
"Sot, qeveria amerikane është duke shkatërruar një pjesë të madhe të strukturave të bashkëpunimit që kanë krijuar me ne", theksoi Lavrov.
Lavrov akuzoi SHBA-në se është përgjegjëse për përkeqësimin e marrëdhënieve duke i imponuar sanksione të rënda bankave dhe kompanive ruse si dhe të afërmve të presidentit Vladimir Putin për rolin e Moskës në konfliktin në lindje të Ukrainës.
"Problemi kryesor është se ne kemi absolutisht interes në normalizimin e këtyre marrëdhënieve, por nuk jemi ne që i shkatërruam", theksoi Lavrov.
Duke konfirmuar se fliste regullisht me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, Lavrov shtoi se "ka kanale të tjera komunikimi, ndonëse nuk mund të detyrojmë amerikanët të jenë miq me ne, apo të na dëgjojnë".
Sipas tij, "dialogu mes dy vendeve vazhdon, por në një trajtë të reduktuar dhe shumë të ngushtë, ndërkohë që projektet e përbashkëta mes Rusisë dhe SHBA-së, duke përfshirë edhe luftën kundër trafikut të drogës dhe terrorizmit, aktualisht janë bllokuar me iniciativë të palës amerikane"./
/G.S/