Tre persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën në sulmet e fundit ukrainase në rajonin e Belgorodit, tha Guvernatori në detyrë Alexander Shuvayev.
"Ushtria ukrainase nisi 164 sulme në rajonin e Belgorodit në 24 orët e fundit", shkroi Shuvayev në mediat sociale.
Edhe Rusia kreu sulme në disa rajone në Ukrainë. Në rajonin e Zaporizhias, forcat ruse sulmuan një njësi zjarrfikësesh. Në Kherson rusët goditën një qendër shëndetësore me një dron, duke plagosur dy punonjës.
Ndërkohë sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë marrë në shënjestër edhe sektorin e botimeve dhe trashëgiminë kulturore të vendit, duke shkaktuar shkatërrimin e rreth 12 milionë librave, ndërsa dhjetëra shtypshkronja dhe shtëpi botuese janë dëmtuar.
Një nga goditjet e fundit ka prekur një shtypshkronjë në periferi të Kievit, e cila ishte në përgatitje për vitin e ri shkollor. Fabrika po punonte për prodhimin e rreth 1.3 milionë librave, ose afërsisht 10% të teksteve shkollore që do të përdoroheshin në Ukrainë.
Pas sulmit, ndërtesa është kthyer në rrënoja. Mes mbetjeve është gjetur edhe një faqe e djegur nga një libër shkollor në gjuhën angleze.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se synon qëllimisht objektiva civile në Ukrainë, ndërsa autoritetet ukrainase dhe organizatat ndërkombëtare kanë dokumentuar dëme të shumta ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve kulturore gjatë luftës.








Komente
Komento