Sulmet ruse pranë kufirit me Poloninë kanë rritur alarmin në krahun lindor të NATO-s. Rusia goditi me dronë zonën e Jahodinit, vetëm dy kilometra nga kufiri mes Ukrainës dhe Polonisë, duke dëmtuar lokomotivën e një treni pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës dhe një pikë karburanti pranë vendkalimit kufitar.
Sipas kompanisë hekurudhore ukrainase Ukrzaliznytsia, ekuipazhi i trenit ishte paralajmëruar paraprakisht për rrezikun dhe, falë kësaj, nuk pati të lënduar mes pasagjerëve.
Sulmi shkaktoi edhe një zjarr të madh në një pikë karburanti pranë kufirit. Pamjet e publikuara nga mediat ukrainase tregojnë flakë që përfshijnë pikën e karburantit dhe disa kamionë pranë vendkalimit kufitar.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, e shfrytëzoi sulmin për t'u dërguar një mesazh vendeve perëndimore.
"Ky është terrori i Putinit që po troket drejtpërdrejt në dyert e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Barbarët rusë janë tashmë te dyert tuaja", shkroi ai në rrjetin social X.
Pas sulmeve ruse pranë kufirit, kryeministri polak Donald Tusk thirri një mbledhje të drejtuesve të sigurisë kombëtare. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë polake, Adam Szlapka, i cili tha se takimi u thirr si reagim ndaj sulmeve ruse në afërsi të territorit polak.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi homologut ukrainas Volodymyr Zelensky të ndalojë sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi. Gjatë një vizite në Irlandë, Trump tha se sulmet po ndikojnë në mungesën e naftës.
"Zelensky duhet të ndalojë sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi. Le të godasë objektiva të tjerë, por jo rafineritë, sepse po shkakton mungesë të naftës", deklaroi ai.
Në të njëjtën kohë, Ukraina ndërmori një tjetër sulm me dronë në territorin rus. Objektiv ishte zona industriale e qytetit Nizhnekamsk, në republikën e Tatarstanit, ku ndodhen disa nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi, më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit ukrainas.
Banorët raportuan shpërthime dhe aktivizimin e mbrojtjes ajrore, ndërsa autoritetet ruse njoftuan se sulmi la dy të vdekur dhe 12 të plagosur. Sipas Moskës, një dron goditi pranë një automjeti ku ndodheshin katër të rinj, dy prej të cilëve humbën jetën. U dëmtua edhe një ndërtesë banimi, ndërsa në një impiant industrial shpërtheu zjarr.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse goditën në rajonin e Odesës një qendër logjistike të kompanisë ukrainase Nova Poshta, e cila sipas Moskës përdorej për magazinimin dhe shpërndarjen e pajisjeve ushtarake.
Paralelisht me zhvillimet në terren, vijojnë edhe lëvizjet diplomatike. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska shpreson që në një të ardhme të afërt të zhvillohet një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës. Sipas tij, Rusia mbështet idenë e një takimi të tillë, ndërsa këshilltari i Vladimir Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se përparimi në çështjen territoriale do ta bënte më të lehtë arritjen e marrëveshjeve të tjera.
Më herët, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, deklaroi se Uashingtoni ka përgatitur pjesën kryesore të një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës, por sipas tij pengesa kryesore mbetet refuzimi i Kievit për të pranuar kërkesat territoriale të Vladimir Putinit.
"Nëse Ukraina do të pranonte të lëshonte territoret që kërkon Putini, ne do ta kishim tashmë një marrëveshje", tha Kushner, duke shtuar se qëllimi i ndërmjetësve është gjetja e një formule për ngrirjen e konfliktit.

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe disa diplomatë e zyrtarë të lartë evropianë u detyruan të evakuohen nga një tren privat gjatë sulmeve me dronë të Rusisë pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë. Sipas revistës gjermane Der Spiegel, të gjithë janë në gjendje të mirë dhe nuk pati të lënduar.
Delegacioni po kthehej nga Kievi drejt Polonisë, pasi kishte marrë pjesë në konferencën e sigurisë Yalta European Strategy, ku përfaqësues perëndimorë dhe autoritetet ukrainase diskutuan për mundësinë e negociatave të paqes me Rusinë. Rreth orës 05:00, treni u ndal pas alarmit për dronë, ndërsa kontrollorët zgjuan pasagjerët dhe i evakuuan përkohësisht deri në përfundimin e rrezikut.
Në tren ndodheshin edhe Gunter Sautter, një nga këshilltarët më të afërt të kancelarit gjerman Friedrich Merz për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe këshilltarë britanikë, francezë e italianë, deputetë gjermanë, diplomatë dhe akademikë.
Ish-kryeministri suedez Carl Bildt, i cili ishte pjesë e delegacionit, tha se droni rus goditi trenin që udhëtonte vetëm pak minuta pas tyre, pranë pikës kufitare me Poloninë.
"Nuk ishte treni ynë, por ai që vinte pas nesh. Pasagjerët u evakuuan ndërsa droni po afrohej dhe askush nuk u lëndua", deklaroi Bildt.

Moska shpreson që në tetor t të zhvillohet një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për median Izvestia se ideja e një takimi të tillë është diskutuar dhe se Rusia ndan të njëjtin qëndrim me Jared Kushner. Ai shtoi se aktualisht nuk ka propozime të reja, por qëllimi i bisedimeve është pikërisht gjetja e alternativave për zgjidhjen e konfliktit. Ndërkohë, këshilltari i Vladimir Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi se përparimi në çështjen territoriale do ta bënte më të lehtë arritjen e marrëveshjeve edhe për temat e tjera që mbeten të hapura.

Lituania mbylli përkohësisht aeroportin e Vilniusit pasi u raportua për praninë e mundshme të një droni në hapësirën ajrore të vendit.
Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave bëri të ditur se NATO kërkoi ngritjen e të paktën një avioni luftarak nga baza ajrore e Shiauliait, ku aktualisht ndodhet kontingjenti i Forcave Ajrore italiane në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore të Baltikut. Pavarësisht alarmit, maratona që po zhvillohej në Vilnius nuk u ndërpre.
Vendet përgjatë kufirit lindor të NATO-s kanë raportuar edhe më parë incidente me dronë që kanë hyrë në hapësirën e tyre ajrore, ngjarje që lidhen me luftën e nisur pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.











Komente
Komento